Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ka pranuar qetësisht barazimin kundër Teutës, një rival serioz dhe shumë i organizuar. Për Duron mungesa e sulmuesit kryesor Bushiç ndikoi shumë te rezultati, por nga ana tjetër ai nuk e fsheh dëshpërimin për rastin kur topi u duk se kaloi vijën fatale, në fund, por arbitri nuk akordoi asgjë.
BUSHIÇ – “Duhej të fitonim, edhe pa Bushiç, por është e qartë që ai është lojtari ynë kryesor, shënuesi më i mirë dhe pika e referimit në sulm, ndaj mungesa e tij patjetër që ka ndikim”.
BARAZIMI – “Kampionati është shumë i ekuilibruar, nuk ka fitore të lehta. Edhe Kamzën, që ne me vuajtje e mundëm, Skënderbeu nuk e mundi dot në dy përballje. Ishim edhe pa Bushiç, janë situata që ndikojnë në ecurinë e lojës”.
GOLI FANTAZMË – “Më vjen keq që të merremi çdo javë me çështje të tilla, por duket se ai top e ka kaluar vijën. Po të shohësh mbrojtësin që mundohet të largojë topin, është goxha brenda vijës fatale. Është e qartë që nuk dallohet mirë, por kur bëhet fjalë për Flamurtarin, ka gjithmonë situata të tilla dhe gjithnjë vendimi shkon kundër nesh”.
MESFUSHA – “E nisëm me tre mesfushë, duke iu përshtatur edhe mesfushës së Teutës, ndërsa në pjesën e dytë me aktivizimin e Kamarasë loja u përmirësua, ndërsa bëmë edhe ndryshime taktike. Në pjesën e parë lamë ndonjë hapaësirë në prapavijë, por u përmirësuam me kalimin e kohës. Më vjen keq, sepse lamë dy pikë të çmuara, por Teuta është një skuadër e fortë dhe është normale që të lëmë pikë në ndeshje të tilla”.
RITMI I LOJËS – “Do të ishte shumë më i lartë po të luhej në një ambient si ai me Skënderbeun dhe ndryshe si sot, pa tifozë. Pastaj, duke pasur parasysh edhe problemet e formacionit, por edhe Teutën, skuadër mjaft e fortë dhe me skuadër cilësore, që di të mbrohet shumë mirë. Ka pasur luhatje, por është ekip që pretendon për lart dhe nuk ka ekipe inferiore. Edhe Kamza, që cilësohet surprizë, nuk duhet të quhet ashtu, sepse ka ndalur dy herë Skënderbeun dhe e meriton plotësisht vendin në renditje, duke konfirmuar që nuk ka ekipe të dobëta. Renditja nuk është treguesi i vetëm për vlerën e skuadrave, Teuta ka më pak pikë se ne, por është ekip mjaft cilësor dhe është ndërtuar me pretendime për kreun. Edhe Partizani ka shumë pak pikë krahasuar me Skënderbeun, por dihet që ka një skuadër cilësore dhe të hënën do të jetë ndeshje goxha e ekuilibruar”.
NIVELI I LOJËS – “Kemi zhvilluar shumë ndeshje të mira, edhe pse kemi lënë pikë në Vlorë. Meritonim fitoren sot, ashtu si ndaj Skënderbeut, Kukësit e Luftëtarit. Sigurisht, skuadra jonë ka nevojë për pak më shumë cilësi, 2-3 lojtarë në janar. Në verë bëmë një punë të madhe, por nuk përfundon gjithçka aty, duhen disa plotësime”.