11 janar – Bashkim Fino, në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH shpall për të parën herë hapur kandidaturën e tij për president federate (shpaloset edhe platforma e tij), duke konfirmuar dhe legjitimuar zërat e qarkulluar që prej fillimit të dhjetorit. Paralelisht, mëngjesin e kësaj dite të enjte, edhe presidenti aktual i FSHF-së, Armand Duka, në sajë trë një mesazhi të gjatë në faqen zyrtare në FB rikandidon për mandatin e pestë, me nismën “Së Bashku për Futbollin”
12 janar – Bashkim Fino ripësërit platformën e tij duke e shpjeguar në disa pika, në intervistën e dhënë për “Top Channel”. Po në këtë ditë, Duka formalizon marrëveshjen me Kryqin e Kuq shqiptar për një rinovim raporti dhe për të mbuluar të gjitha ndeshjet e Superligës dhe kombëtaret nga ajo A deri te femrat. Asnjë deklaratë për zgjedhjet. Veç kësaj, niset për në Prishtinë, ku merr pjesë në mbrëmjen Gala të ndarjes së çmimeve për futbollin kosovar në vitin 2017. Ai nderohet me Çmimin e Mirënjohjes.
14 janar – Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, shpalos platoformën e tij në intervistën e dhënë për Neës 24, emisioni “Fair Play”, ndërsa nisin zyrtarisht akuzat e rivalit Fino për Shoqatat Rajonale dhe të drejtës së tyre për të votuar në Asamblenë e Përgjithshme, duke mos qenë të regjistruara në QKR. Fino publikon edhe shkresën zyrtare, pra dokumentin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
15 janar – Armand Duka, në prani të kryeministrit Rama dhe shumë personazheve të futbollit dhe sportit në përgjithësi, përurojnë nisjen e punimeve për mega strukturën e FSHF-së, selia e re, në ish-kompleksin e Dinamos, teksa kryeministri i vendit “driblon” zgjedhjet duke thënë se “nuk ndodhem këtu për zgjedhjet”. Në po këtë ditë, Bashkim Fino do të publikojë një status në facebook, duke bërë me dije se heq dorë nga roli i sekretarit në PS: “Pavarësisht se nuk jam i detyruar ligjërisht, sapo i paraqita dorëheqjen Kryetarit të Partisë dhe Sekretarit të Përgjithshëm nga funksioni i sekretarit organizativ dhe administrativ të Partisë Socialiste”.
17 janar – Bashkim Fino, në intervistën e dhënë për emisionin “Repolitix”, në Report TV, sqaron edhe njëherë disa pika të rëndësishme të platformës së tij, teksa Duka ndalet vetëm në ngushëllimin për ish-futbollistin e njohur Ilir Luarasi.
18 janar – Garës për postin e FSHF-së i shtohet edhe kandidati Shpëtim Hala. Ai ka qenë gjyqtar në kategoritë inferiore në Itali. Kjo është hera e dytë që Hala tenton të jetë afër futbollit, pasi tentoi të jetë vëzhgues pranë Federatës Shqiptare të Futbollit por nuk u pranua.
19 janar – Fino vijon me akuzat dhe këtë herë rrit dozën duke përfshirë edhe Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe presionin që po i bëhet gjyqtarëve për të regjistruar Shoqatat Rajonale. Duka publikon ndërkohë disa nga arritjet e tij në krye të federatës, duke ekspozuar grafikun. Sakaq, nisin të publikohet edhe shkrime për infrastrukturën dhe zhvillimin e saj.
21 janar – Kandidati Fino vijon fushatën e tij me postime në fb, ku sqaron platformën dhe e largon nga politika. Sakaq, ka heshtje në krahun e Dukës.
22 janar – Në ambientet e Muzeut Kombëtar, ekspozohet arritja e kombëtares së Shqipërisë në Euro 2016, ku marrin pjesë edhe shumë personalitete, teksa Duka preferon ta quajë vetëm garë sportive atë të zgjedhjeve, por pa u ndalur shumë.
23 janar – Gazeta “Dita” publikon një intervistë të gjatë të Bashkim Finos, mes projekteve, planimetrisë dhe ideve, ndërsa Armand Duka vijon me grafiqet e arritjeve, si infrastruktura dhe ndryshimet rrënjësore në këto 16 vite presidencë.
24 janar – Armand Duka niset për në Lozanë, ku merr pjesë në shortin për Nations League bdhe komenton më pas grupin e Shqipërisë.
27 janar – Bashkim Fino kundër FSHF-së dhe sekretarit Ilir Shulku, pasi nuk i ka dorëzuar listën e delegatëve që do të votojnë për kreun e Federatës në Asamblenë e Përgjithshme. Ndërkohë, Armand Duka shfaqet në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, ku edhe risjell platformën e tij të re, arritjet por edhe merret në pyetje mes thumbimeve dhe provokimeve nga paneli.
30 janar – Presidenti Duka vijon me arritjet e FSHF-së, mes sponsorizimeve dhe inkrementit të të ardhurave. “Falë menaxhimit shumë më të mirë të federatës dhe përkushtimit për të siguruar mbështetjen e duhur për futbollin sot kemi arritur në 3.35 milionë Euro të ardhura, ose 335 herë më shumë”.
31 janar – Armand Duka shfaqet në ceremoninë për dorëzimin e diplomave të nismës Akademia e Arbitrave, një shkollë e re e hapur së fundmi per te gjithe ata te rinj dhe te reja qe duan të ecin në profesionin e vështirë por shumë të bukur të arbitrit.
1 shkurt – Zëvendëspresidenti i UEFA-s, Grigori Surkis takon Ramën dhe Dukën. “Duam zgjedhje demokratike e pa ndërhyrje”. Kandidati Fino, sakaq akuzon hapur “Top Channel” dhe disa media në përgjithësi për shtrembërim lajmesh. Në mbrëmje, vjen edhe debati i ashpër mes dy kandidatëve. Akuza dhe kundërakuza, edhe pse Duka ruan qetësinë dhe kandidati tjetër, Fino, degjeneron në një fjalor “rruge”, duke mos e mbajtur nervat dhe duke prishur disi edhe emisionin “Të Paekspozuarit”.
3 shkurt – Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, del publikisht në një komunikatë shtypi, teksa parashtron shifrat dhe buxhetin e federatës, duke hedhur poshtë akuzat e Finos në emisionin “Të Paekspozuarit”.
4 shkurt – “Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, tentoi të manipulojë për herë të dytë opinionin publik me shifrat dhe abuzimet e FSHF-së”… Bashkim Fino de me një komunikatë zyrtare në facebook duke hedhur poshtë zërin e federatës.
6 shkurt – Bashkim Fino publikon një status ku shprehet se është i vetmi që nuk është ftuar në mbrëmjen që Duka ka organizuar me anëtarët e Asamblesë Zgjedhore, por FSHF reagon me një mesazh të qartë: email i është dërguar edhe zotit Fino rregullisht.