Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka lëshuar sot një intervistë për “eduasportin.com”, ku ka folur për sfidën e sotme kundër Turqisë, aty ku trajneri Panuçi do të bëjë eksperimente, por edhe do të kërkojë rezultat pozitiv, pasi sipas Dukës nuk jemi inferiorë ndaj Turqisë. Për presidentin e FSHF-së, Panuçi po punon shumë mirë dhe do të na çojë në Europian.
TURQIA – “Është fillimi i përgatitjeve për edicionin e ardhshëm, është ndeshja e parë miqësore, që do të pasohet nga të tjera, për të kolauduar skuadrën në prag të fillimit të kompeticionit të ri Nations League, që do të nisë kualifikueset në shtator. Turqia është një kundërshtar dinjitoz, ndaj të cilit vërtet mund të tregosh diçka dhe të përgatitesh nga të gjitha pikëpamjet. Gjatë kësaj jave në Antalia skuadra është përgatitur seriozisht, është forcuar fryma e grupit, është përgatitur mirë dhe trajneri ka pasur kohë që të bëjë edhe eksperimente që do t’i shërbejnë, pasi nuk është njohur ende me të gjitha resurset e kombëtares. Uroj që të jetë një ndeshje e bukur, që të na shërbejë faktikisht e teknikisht, por natyrisht uroj të marrim një rezultat pozitiv. Nuk jemi as më të mirë dhe as më të këqij se Turqia, që vjen nga humbja dhe do të kërkojë fitoren sot.
PANUÇI – “Pa e mbyllur ende edicionin, menduam që stafi drejtues të njihej sa më mirë me skuadrën dhe ambientin. Mendoj se e kemi realizuar atë që kishim qëllim, tani stafi është njohur me skuadrën. Në këto 4 ndeshjet e mbylljes së fazës eleminatore nën drejtimin e Panuçit skuadra ka luajtur mirë, ka prodhuar lojë, por ka pasur edhe momente ku ka gabuar dhe që duhen korrigjuar për të ardhmen. Mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur me një emër të madh të futbollit europian, i cili do të dijë ta transmetojë te skuadra eksperiencën e tij të madhe në nivele të larta të futbollit. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe kualitetet që të jemi një skuadër e aftë të kualifikohet për në Europianin 2020, edhe pse natyrisht duhet shumë punë, duhet pritur edhe shorti, por jam i bindur se me Panuçit mund të shkojmë në Europian.
RINOVIMI I KOMBËTARES – “Çdo skuadër në çdo kohë ka nevojë për energji të reja dhe për elementë të rinj. Nuk po ndërrohen breza në këtë skuadër, por janë afruar ata elementë që kanë qenë të nevojshëm. Kam parimin se nuk ka moshë në një ekip kombëtar. Janë grumbulluar ata lojtarë që janë në formë, por me vizionin e startit të eliminatoreve të vitit të ardhshëm, ndaj janë grumbulluar edhe emra të rinj, duke lënë jashtë ndonjë lojtar me shumë eksperiencë”.