Duka me fjalë prekëse për ndarjen nga jeta të ish-ndihmësit të De Biasit: Kanë mbetur pak “të urtë“ në botën e futbollit si Angelo

Angelo Pereni është ndarë nga jeta ditën e sotme. Një njeri i njohur në Shqipëri, teksa ishte pjesë e stafit të De Biasit në pankinën e Kombëtares kuqezi. Ish-trajneri i Shqipërisë ka shpërndarë një mesazh të ndjerë në rrjetin e tij social për humbjen e Perenit, ndërsa të njëjtën gjë ka bërë edhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Armand Duka ka përdorur rrjetin e tij social në “Facebook“ për të ndarë ngushëllimet dhe trishtimin e tij. Presidenti i FSHF-së nuk e harron punën dhe kontributin e ish-zëvendëstrajnerit të kuqezinjve, por mbi të gjitha nuk harron të vlerësojë as anën njerëzore të Perenit, të cilin e kujton si një njeri fantastik.

“Me trishtim të thellë mora lajmin e ndarjes nga jeta të Angelo Perenit, ish-zëvendëstrajner i Kombëtares shqiptare gjatë viteve 2011-2014 kur kjo skuadër drejtohej nga Gianni De Biasi. Angelo ishte si vetë emri që mbajti, ishte njeri vërtetë i mençur. Bota e futbollit ka humbur shumë. Angelo e donte lojën, por mbi të gjitha i donte shumë futbollistët. Një njeri fantastik. Kanë mbetur shumë pak “të urtë” në botën e futbollit si Angelo.

Ishte një nder për ne të kishim në stafin teknik një njeri me kaq eksperiencë të gjatë në futboll dhe tejet të përgatitur. Dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe miqve të tij për këtë humbje të madhe. U prehtë në paqe”, ishin fjalët e Armand Dukës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *