Presidenti i FSHF, Armand Duka, njëkohësisht kandidat për një mandat të ri në krye të këtij institucioni ka vijuar të publikojë në faqen e tij në Facebook, rezultatet e arritura gjatë drejtimit të tij për ngritjen dhe fuqizimin e futbollit shqiptar.
Kësaj radhe Duka është ndalur te të ardhurat e siguruara për futbollin shqiptar nga sponzorizimet, të cilat sipas tij janë rritur me 335 herë, krahasuar me vitin 2002.
“Me 10 mijë Marka gjermane, të ardhura nga sponsorizimet, e gjetëm futbollin shqiptar në vitin 2002. Falë menaxhimit shumë më të mirë të FSHF dhe përkushtimit për të siguruar mbështetjen e duhur për futbollin, sot kemi arritur në 3.35 milionë Euro të ardhura, ose 335 herë më shumë”, shkruan Duka në faqen e tij.
Komenti shoqëron një infografik në të cilin paraqiten sipas mandateve të kaluar edhe të ardhurat që ka siguruar FSHF nga sponsorizimet. Shifrat e financimit nga sponsorizimet kanë ardhur dukshëm në rritje nga 0.01 milionë euro që kanë qenë në vitin 2002, në 3,35 milionë euro që arritën në mandatin 2014 – 2018.
Por presidenti i FSHF duket se ka edhe një mesazh për të gjithë ata që mendojnë se ai ka qëndruar gjatë në këtë post.
“Për të gjithë ata që mendojnë se 4 mandate në krye të FSHF janë shumë, dua t’ju kujtoj se janë shumë herë më të mëdha punët dhe rezultatet që kemi arritur së bashku me komunitetin e futbollit”, thotë Duka, duke siguruar se do të vazhdojë të punojë fort në 4 vitet e ardhshme, për të bërë më të mirën për futbollin.
Gara për kreun e FSHF ka hyrë tashmë në një fazë vendimtare. Ajo që bie më shumë në sy në daljet publike të kandidatëve është se deputeti socialist, Bashkim Fino e ka fokusuar fushatën e tij te sulmet direkte dhe madje me një gjuhë të ashpër e të mbushur me kërcënime për Armand Dukën dhe pothuajse të gjitha strukturat e FSHF.
Nga ana e tij Duka është përgjigjur me qetësi dhe fushata e tij është bazuar më së shumti te arritjet e deritanishme të FSHF nën drejtimin e tij, duke nisur nga masivizimi i futbollit, te investimet në infrastrukturë, rritja e sponsorizimeve dhe të tjera si këto.