Shqipëria e ka inaguruar stadiumin “Air Albania”, megjithëse nuk u arrit rezultati i kërkuar ndaj Francës, pasi humbëm me shifrat 0-2. Në lidhje me performancën e Kombëtares gjatë këtyre eliminatoreve të Europianit, ka folur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
I ftuar në emisionin e “ABC Neës” dhe saktësisht “Pressing”, Duka ka shtuar disa komente edhe mbi stadiumin e ri “Air Albania”. Theksi është vendosur te përqasja e mediave shqiptare dhe kritikat e shumta të bëra mbi këtë arenë, por duke e vendosur në paradoks edhe me mënyrën sesi është komentuar në mediat europiane.
“Jam i lumtur që përfunduam një vepër si “Air Albania”. Pashë njerëz të lumtur që bënin foto dhe kënaqëshin. Më mirë nuk mund të kishte, ose mund të kishte vetëm nëse do të merrnim një rezultat pozitiv. Ky edicion kishte të mirat dhe të këqijat e tij. Dy ndeshjet e fundit ishin më shumë mungesë përqendrimi te ekipi. E konsideruam si modest Andorrën, por nuk na rezultoi ashtu. Gjithashtu edhe ndaj Francës pamë një ekip të plogësht, ku mund të ndikuar edhe nga stadiumi. Pas fitores ndaj Islandës dhe asaj ndeshje të bërë ndaj Turqisë i ngritëm të gjithë në qiell. Unë nuk kam peng për asgjë dhe gjithçka do ta përsërisja si më parë. Gabimet që bëhen rrugës janë normale, nuk mund t’i parashikojmë, pasi do të ishim Zoti.
Është si puna e trajnerit, që vendos lojtarët dhe pas ndeshjes reflekton. Tifozët e rregullt ka qenë gjithmonë pas Kombëtares, pasi për ta nuk ka rëndësi rezultati. Sa i përket vendit të katërt në renditje, nuk mund ta quaj dështim. Nuk është i tillë pasi jemi pas Francës, Turqisë dhe Islandës. Por nga ana tjetër ne nuk i diskutojmë më ekipet e tjera dhe jemi në mesin e renditjes si atë në Europë, por edhe në kualifikueset që u mbyllën. Duke i marrë të gjitha fushat e jetës në Shqipëri, futbolli është më lartë. Pas një dasme, pasi unë e konsideroj si një dasmë shqiptare, ju kapeni me gjëra negative.
Duhet të thoni që: “Sa mirë, na u duk si një ëndërr te stadiumi i ri”. Po e them për ju, që të flisni gjëra pozitive dhe t’i jepni shqiptarëve më shumë pozitivitet. A mund të ketë difekte? Sigurisht që ka, por është fakt që si ky stadium nuk ka Kroacia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe shumë të tjerë. Po lexoja portalet shqiptare sportive dhe nuk pashë një koment të mirë. Por e gjeta ngushëllimin në mediat europiane që flisnin për gjëra të mira.
Nga Reja kërkoja një motivim më shumë ndaj Andorrës, si ekspert që është. Por kjo nuk do të thotë se anon peshorja nga ana negative. Sigurisht që në anën emocionale ka lëkundje dhe kur barazon me Andorrën do të shkarkosh Rejën dhe gjithkënd tjetër(Qesh). Por prandaj nuk merren vendime në ato momente. Këshillohet të lash duart me ujë të ftohtë dhe të shkosh në shtëpi për t’u qetësuar. Sa i përket trajnerit Reja ne do i propozojmë që të vazhdojmë. Ne e kemi ndryshuar terrenin sportiv shqiptar te një terren i pranueshëm. Sa i përket Erjon Braçes nuk jep as 1 euro nga buxheti i shtetit për stadiumin, por rri e kritikon nëpër “Facebook” si një tifoz i një niveli jo të kënaqshëm”, ka thënë Duka. /Sport Ekspres/