“Duhet të shtërngohemi atje për të bërë një gol“, Seferi zbulon çfarë u tha shokëve: Ngrini kokën, do e bëjmë një gol nga hiçi

Pas zhgënjimit në Champions League, Tirana përjetoi një tjetër mbrëmje të hidhur në Europë. Bardheblutë morën sot humbjen e tretë radhazi në kompeticionet e UEFA-s. Festa në “Air Albania“ i takoi tifozëve boshnjakë, teksa Zrinjski fitoi minimalisht 0-1. Pas përfundimit të ndeshjes, Taulant Seferi ka folur për “Supersport”-in, ku tregon problemin e Tiranës dhe shpreh besimin për përmbysje në Bosnje-Hercegovinë.

“Nuk jam mërzitur që s’kam bërë gol, por jam mërzitur që nuk po marrim rezultat. Më shumë jam mërzitur për këtë anë, se e di që goli goli do vijë. Por nuk po bëjmë atë lojën që bën Tirana dhe kjo po më mërzit shumë. Por ç’të bëjmë, ky është futbolli. Duhet të punojmë fort. Ata me një penallti na bënë një gol. Kështu që edhe ne atje duhet të shtërngohemi të bëjmë një gol. Po bëmë një gol atëherë do të jetë ndryshe.

Kur nuk ecën asgjë, ka për të ndodhur diçka. Na duhet përqendrim më i madh se në kampionat shqiptar. Këto janë ndeshje europiane dhe duhet përqendrimi maksimal. Një përqind po të iki përqendrimi ndëshkohesh.

Sa u futa aty (në dhomën e zhveshjes) e pashë se ishin të gjithë të mërzitur. U thashë: ‘Çuna, ngrini kokën lart. Nuk bën të mërzitemi. E patë, ata në bënë një gol nga hiçi. Edhe ne do e bëjmë një gol nga hiçi dhe pastaj do e kemi vetë lojën në dorë. Kam shumë besim se do ta kthejmë atë ndeshje’”, ka thënë Taulant Seferi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *