Shqipëria e ka mbyllur me fitore vitin 2022. Ndeshja e fundit për kuqezinjtë për këtë vit kalendarik ishte ajo kundër Armenisë, të cilën e fitoi me rezultatin 2-0. Skuka ka shënuar sot golin e tij të parë me Kombëtaren, duke justifikuar besimin e Rejës për ta nisur nga minuta e parë. Ndërkohë në pjesën e dytë shënoi edhe Kristjan Asllani, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport“.
Skuka: “Kam shumë besim te vetja dhe isha i sigurt që do bëja mirë, por jo me gol. Jam ndjerë shumë mirë. Çunat më kanë pritur mirë, si të vegjëlit ashtu edhe të vjetrit. Edhe stafi, dukej sikur nuk isha në Kombëtare për herë të parë. Titullar në Kombërare? Duhet shumë, shumë punë, duke parë edhe kolegët e mi në sulm. Duhet të përmirësoj gjendjen fizike, duhet ta rris shumë”.
Cara: “Do na i lejojnë t’i marrim fanellat në shtëpi? Normale që do na i lejojë, sepse këto janë kujtim. Ishte një debutim me Kombëtaren dhe do na duhen në shtëpi si kujtim. Kur të na jepet mundësia do vijmë të bëjmë maksimumin. E presim me padurim një ftesë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/