Bruno Dita ka qenë një titullar i padskutueshëm te Skënderbeu këtë sezon, ku ka luajtur një rol të rëndësishëm në rezultatet e arritura nga korçarët. Këta të fundit kanë zhvilluar një lojë të bukur për këtë vit dhe rezultatet nuk kanë munguar. Në një intervistë për “Albeu”, futbollisti shqiptar ka folur mbi momentin që po kalon me juglindorët, ndërsa nuk lë pa përmendur edhe çështjen gjyqësore që klubi ka të hapur për sa i përket dënimit që e ndalon të marrë pjesë në Kupat e Europës. Dita shprehet se Skënderbeu ka bërë histori në Shqipëri, që zor se mund të arrihet nga klubet e tjera edhe për shumë vite të tjera.
Forma aktuale
“Shyqyr zotit çdo gjë ka shkuar mirë deri tani por shpresoj që ta mbyll në këto ritme së bashku me të gjithë ekipin dhe të arrijm objektivat. Personalisht bëj maksimumin çdo ditë në stërvitje dhe normalisht që me punë arrihet çdo gjë por pa ndihmën e ekipit është e pamundur, normalisht kanë dhe ato një pjesë të suksesit”.
Qendrimi te Skënderbeu
“Kam kontratë deri në maj me Skenderbeun dhe vendosa të jem korrekt i asaj kontrate. Në Korçë është një super ambjent që çdo futbollist do ta dëshironte të punonte gjatë karrieres se tij. Është edhe një qytet i këndshëm me njerez shumë të dashur sidomos për futbollin”.
Shiriti i kapitenit
“Normalisht ishte një vlerësim që mu dha shiriti i kapitenit por do të thoja është nje përgjegjësi shumë e madhe ta mbash atë”.
Gjyqi i klubit
“Në kemi për detyrë të japim maksimumin në fushë për të arritur vendet që të dërgojnë në Europë, më pas është klubi që merret me këtë pjesë por që normalisht të gjithë besojnë se do fitohet pafajesia dhe shpresojmë që kështu të ndodhi sepse kjo nuk është e mirë vetëm për Skënderbeun dhe Korçën por është e mirë për të gjithë futbollin në Shqipëri sepse është një ekip që këto vitet e fundit ka bërë histori jo vetëm këtu por edhe në Europe, gjë të cilën është e vështirë edhe për shumë vite mendoj që ta arrij ndonjë klub tjetër në Shqipëri”.
Ekipi kampion
“Janë akoma dhe 10 javë për t’u luajtur dhe gjithçka mund të ndodhë. Fitoftë më i miri”.
Stërvitja pas ndërprerjes së kampionatit
“Po stërvitem vetë individualisht për të mbajtur sado pak trupin në formë…futbolli në këto momente është në plan të dytë por shpresoj që të kaloj sa më shpejt kjo gjëndje dhe çdo njeri të filloj jetën e tij normale”./Sport Ekspres/