Me marrjen e dritës jeshile për të përfunduar sezonin e lënë përgjysmë, tashmë klubet po përpiqen të gjejnë mënyra për të zbehur mungesën e tifozëve në stadium. Kreativiteti ka nisur të vihet në punë dhe Lotito kërkon që zërin e tifozëve të Lazios ta sjellë sërish në “Olimpico”. Presidenti i bardhekaltërve ka vendosur fillimisht që ulëset e stadiumit t’i mbushë me portretet e tifozëve të klubit, por nuk do të mjaftohet me kaq.
Sipas “Il Corriere Dello Sport” Lotito po studion mundësinë e krijimit të një aplikacioni për smartphone, nga ku të gjithë mbështetësit bardhekaltër të motivojnë skuadrën e tyre të zemrës në kohë reale. Tifozët e Lazios do të kenë mundësinë të duartrokasin të këndojnë në kor, apo edhe të vërshëllejnë. Ky është një model që merr si shembull një tjetër aplikacion që nisi të studiohej në Gjermani. I vetmi dyshim është përcjellja me vonesë e reagimeve të tifozëve në stadium, megjithatë Lotito duket i bindur për ta dërguar deri në fund këtë ide./Halit Delibashi-Sport Ekspres/