Arlen Hasanaj vazhdon që të qëndrojë nën pranga si personi i dyshuar për vendosjen e tritolit në shtëpinë e presidentit të FSHF, Armand Duka. Vetë Hasanaj nuk e ka pranuar autorësinë, ndërsa avokati i tij, Ilia, ka sjellë provat që vërtetojnë të kundërtën. Sipas asaj që raporton “Top Chanell”, avokati tregon gjithë oraret që nuk përputhen me ngjarjen të mbështetura nga kamerat e sigurisë, ndërsa shprehet se shtetit i intereson një person që të jetë brenda si fajtor për këtë vepër.
“Që nga momenti i filmimit kur paguan faturën në qendrën tregtare në 21.38 minuta, rruga e ndjekur deri në hyrje të Durrësit 22.00 ka qenë te ura e dajlanit, 22.02 hynë në rotondon kryesore të qytetit të Durrësit. 22.03 parkon te shtëpia e vetë, ndërkohë që në këtë orë është ndezur fitili te shtëpia e Dukës. Vetëm Batman e realizon këtë. Si duket ka interesa që dalin përtej interesave ligjorë, ka interes që të ketë një person që po ndiqet formalisht për këtë çështje“, tha avokati. /Sport Ekspres/