Apolonia është kthyer në një model për klubet shqiptare të futbollit. Pas sukseseve me ekipet e moshave, fierakët rikthehen në Superiore pas një periudhe 5-vjeçare. Apolonia mposhti Kastriotin 2 ditë më parë dhe rrëmbeu trofeun e Kategorisë së Parë, ndërsa tashmë i duhet të bëhet gati për sezonin që e pret përpara në elitën e futbollit shqiptar.
Në një prononcim për “Top Channel”, presidenti i klubit, Koço Kokëdhima, ka shpjeguar filozofinë e skuadrës së tij. Qëllimi kryesor mbi të cilin modeli i tyre bazohet është rritja e lojtarëve të rinj, në mënyrë që më pas të shiten në klube më të pasura.
“Pjesa më e rëndësishme për Apoloninë është të edukojë dhe të zhvillojë në 360 gradë lojtarët. Ne duam tek Apolonia lojtarë që nuk ëndërrojnë të luajnë tek Apolonia. Ne duam tek Apolonia lojtarë që ëndërrojnë të lozin ne tregjet e pasura të futbollit.
Është një model që kryesisht rrit lojtarët dhe nuk blen lojtarë të shtrenjtë, por zhvillon lojtarët e vet, të cilët kane kosto relativisht të ulëta. Kjo është e gjithë çështja. Apolonia ka financa tërësisht të balancuara.
Apolonia u ngjit në Superiore, pasi të gjitha ekipet zinxhirë të moshave të saj janë në top të Superiores së Shqipërisë”, ka thënë Koço Kokëdhima./Halit Delibashi-Sport Ekspres/