“Dua ushtarë, s’ka ca të njerkës dhe ca të nënës”

 

“Jam italian, por stërvis Shqipërinë. A do të dua të mund Italinë? Në fushë nuk njoh as tim atë. Te Rusia eksperiencë fantastike, deri në Botëror. Zgjedhjet? Me mua s’ka ca të njerkës dhe ca të nënës”

Nga Anton Cicani

Serioz, por edhe i qeshur. Në fushë ishte një që të vihej mbrapa dhe stë linte të merrje frymë, ndërsa në sallën e konferencës shfaqet tepër i çliruar, edhe pse emocionet nuk i fsheh dot. Kristian Panuçi, megjithatë, ulet aty ku për 5 vjet e gjysmë ka qëndruar Xhani de Biazi, në prezantimin si trajner i Shqipërisë dhe e nis diskutimin kështu: “Mirëdita të gjithëve. Jam i nderuar që jam trajneri i ri i Shqipërisë. Falënderoj presidentin Duka që më dha këtë detyrë që më jep shumë emocione. Por, në të njëjtën kohë një përgjegjësi të madhe për këtë vend dhe futbollin që po rritet shumë. Si gjithmonë, dua të falënderoj federatën që më besuan kombëtaren. Jam i bindur se kemi një skuadër të mirë. Se ky vend mund të më japë mua dhe stafit tim shumë, sa i përket njohurisë. Në të njëjtën kohë, shpresoj që edhe unë të kem dhënë gjithçka dhe të kem lënë gjurmë. Tani kemi katër ndeshje të rëndësishme për eliminatoret e Botërorit edhe pse kualifikimi është thuajse i pamundur, por do të jenë katër ndeshje ku duhet luajtur me shumë dëshirë të madhe. Më pas, do të shoh grupin për Euro 2020. Mezi pres të nis punën”…

Çfarë të bëri t’i thoje “po” Armand Dukës?

Ishte e lehtë. Sepse të isha trajner i ekipit kombëtar është okazion i rëndësishëm, prestigj. Po kërkoja diçka serioze dhe presidenti u tregua praktik dhe më përcolli dëshirën e madhe. Ishte një bisedë formale në fillim dhe më pas kaluam te diskutimi i stolit.

Cili është objektivi në kontratë, e keni të caktuar?

Objektivi është të shkojmë në EURO 2020, i vetmi objektiv i madh që kemi. Kjo është ajo që duhet të bëjmë, jam i bindur se kemi skuadrën që na duhet për të shkuar atje.

Përpara jush ishte De Biazit, a vështirëson kjo punën tuaj, duke qenë se kush ishte ai për Shqipërinë?

De Biazi ka bërë një punë të jashtëzakonshme, e drejtë ta vlerësojmë, ai është një mik. Ka shkruar historinë në Shqipëri, por tani fillojmë diçka të re dhe do të mundohem të bëj edhe unë diçka të rëndësishme këtu. Detyra është e vështirë, por mendoj se ekziston ende skuadra për të shkruar një tjetër histori.

A do të ketë revolucion, siç bëri De Biazi kur mbërriti?

Mendoj se grupi që ka ndërtuar De Biazi dhe gëzimet që kanë dhuruar, tani është ndryshe. Ai ishte në ndërtim në fillim, kurse tani Shqipëria është në një nivel shumë më të lartë. Revolucionin e bëjnë lojtarët, nëse ka të rinj të aftë që të vijnë, do të vijnë. Siç e ka thënë presidenti, kombëtarja është e hapur ndaj të aftëve, nëse ka të tillë në qarkullim, ai është revolucioni, përndryshe grupin e njihni.”

Trajneri i mëparshëm nuk hidhte shumë sytë nga Superliga shqiptare. Po ju do ta bëni?

Nëse në kampionatin shqiptar do të ketë lojtarë të aftë që meritojnë kombëtaren, do të vijnë, nuk i ndaj. E rëndësishme është që Shqipëria të fitojë ndeshjet dhe kur të shkojmë në ‘luftë’ do të shkojmë me ‘ushtarët’ më të mirë.”

Cilët do të jenë lojtarët dhe motoja në Shqipëri?

Kam parë më shumë ndeshje të kombëtares këto 10 ditë sesa seriale televizive, i njoh shumë lojtarë. Por më parë duhet të njoh njeriun, i cili shumë më shpesh është më i rëndësishëm sesa lojtari. Nuk kam moto, dua që të më tregojnë rëndësinë që ka për ta se janë shqiptarë, kjo është e rëndësishme për mua.

Eksperienca te Rusia, pra si ndihmës, nuk është se u mbyll edhe aq mirë dhe la shije të hidhur. Mos keni frikë se mos digjeni si trajner i një kombëtare?

Mendoj se Rusia kishte 12 vite që nuk shkonte në Botëror. Ishte një eksperiencë fantastike që më bëri të rritesha. Pastaj Botërori nuk shkoi mirë, sigurisht. Nuk kam frikë të digjem këtu, por është një privilegj dhe nder të jem trajneri i Shqipërisë. Kjo është një sfidë që nuk më frikëson, jam i karikuar për këtë aventurë të madhe, që presidenti Duka më dha mundësinë të drejtoj kombëtaren”

Idetë për skuadrën

Mendoj se këto ndeshje do të jenë të rëndësishme, edhe pse pak skuadrën e njoh. Problemi është që në kombëtare ke pak kohë për të punuar. Por e kam një ide të përgjithshme për ekipin.

A do të synoni të mësoni shqip dhe flisni në konferencë, madje edhe himnin…

Para së gjithash, falënderoj publikisht De Biazin se e di që i ka folur mirë presidentit Duka për mua. Sa i përket shqipes, i kam thënë presidentit se në kohën që do të jem këtu, do të marr leksione të gjuhës shqipe se është e drejtë që të mësoj sa më shumë fjalë, aq më shumë ato që më duhen në fushën e lojës. Himnin, do të mundohem ta mësoj”

Sfida ndaj Italisë. Keqardhje nëse e lë jashtë Botërorit

Më intereson pak nëse Italia mbetet jashtë, jam trajner i Shqipërisë dhe dua të fitoj çdo ndeshje. Kur shoh fushën e lojës nuk njoh as babain tim, jam italian por jam trajneri i Shqipërisë. Do të ketë emocione, por dua që të fitojë Shqipëria.

Fillon nga kombëtarja dhe jo nga klubet?

Kam drejtuar dy vite te Livorno dhe Ternana, kam punuar me klube, por është fat i jetës. Ishte kjo mundësi që u shfaq dhe e mbërtheva. Në Rusi ishte insistim i Kapelos të shkoja atje, ishte një shkollë atje dhe më ka ndihmuar të rritem personalisht.

A do të jetë si Kapelo apo do të ndryshojë stilin tradicional italian të lojës?

“Shpresoj të bëhem si ai, mendoj se kam qenë lojtari më i rëndësishëm për të sepse kudo që shkonte më dëshironte. Kjo është një motiv krenarie për mua. Kisha fatin që 18 vjeç të isha te Milani, më mësoi profesionalizmin, kulturën e punës, të jem i përulur, të kem gjithmonë objektiva të mëdhenj. Më ka mësuar të fitoj e harroj, të rifitoj. Për mua ishte një trajner i madh, një baba, një mik, i jam shumë mirënjohës. Por tani si 44-vjeçar, mendoj se i kam dhënë diçka edhe unë atij.

Objektivi?

Të shkojmë në EURO 2020, nëse jo, mirupafshim dhe do të jem i inatosur gjithë ditën. Ky është objektivi, të shkoj në EURO 2020. Do jetoj vetëm për këtë objektiv.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *