Ditën e djeshme ka përfunduar zyrtarisht kampionati italian, ku Juventusi u shpall kampion, i ndjekur nga Interi me vetëm 1 pikë më pak. Në këtë sezon të Seria A u zbulua një lojtar mjaft i talentuar, Marash Kumbulla, i cili luan me ekipin e Veronës. Së bashku me skuadrën, Kumbulla arriti të luftoj deri në javët e fundit për një vend në Europa Ligë.
Mediat italiane e bëjnë të sigurtë kalimin e lojtarit të kombëtares shqiptare tek një nga skuadrat kryesore të Italisë, teksa favoritët kryesorë për transferimin e lojtarit janë Inter, Roma dhe Lazio. Pak orë më parë vet mbrojtësi 20 vjeçar ka përmbledhur gjithë sezonin 2019-2020 me Veronën në një postim të vetëm në instagram.
“Dua të ndaloj në një moment dhe të rikujtoj gjithë sezonin qe kaluam, e cila më duket si ëndërr. Duke filluar nga data e 25 gushtit kur ishte dhe debutimi im, të cilën nuk do e harroj kurrë. Ashtu si nuk do të mund të harroj 5 tetorin, gëzimin kur shënova golin e parë. Garën konkurruese me ekipet e mëdha, si dhe fitoren me kampionen e Italisë. Çdo pikë që ky ekip ka marrë ka qenë e merituar dhe çdo kënaqësi që kemi marrë nga kampionati na bënë të ndihemi krenar. #Verona.”- ishte postimi i Kumbullës. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/