“Dua shumë një Shqipëri më lart“, zëdhënësi i Maqedonisë së Veriut: Rejës i ka kaluar koha e tij, duhet gjak i freskët

Faton Zylbehari ishte i ftuar në një lidhje paralele me studion e emisionit “Ora Sport“ në “Ora TV“. Zëdhënësi i Federatës së Maqedonisë së Veriut, shprehet se dëshiron ta shohë Shqipërinë më lart në të ardhmen. Zylbehari sugjeron krijimin e një filtri shumë të fortë në ekipet e moshave të kuqezinjve, ndërsa në fund hedh edhe idenë e afrimit të një trajneri të ri. Sipas tij, Rejës i ka kaluar koha, prandaj nevojitet një emër i ri.

“Dua shumë një Shqipëri më lart. Një Shqipëri që edhe kur humb, do të tregojë grintë. Një Shqipëri që nuk do merremi me trajnerin, nuk do merremi me ndërrimet e gabuara, nuk do merremi me lojtarët. Këtu kam përshtypjen mbase është sinjali i duhur për t’u ulur, për të reflektuar dhe për të bërë një plan afatgjatë. Pak a shumë atë që bëri Maqedonia e Veriut dhe funksionoi. Përfaqësueset zinxhirë duhet të zgjedhin më të mirët, pa hatër, pa ndikime, pa shtyrje.

Domethënë një dorë e çeliktë të ndërtohet mbi Kombëtaret zinxhirë dhe bërja e përfaqësueses U21 një super filter shumë serioz përpara se të futesh në Kombëtaren A. Nëse kalohet në 2-5 vite kjo shoshë, unë jam i sigurt që do dukemi më seriozë, përfshirë këtu edhe lojtarë të tjerë që shkëlqejnë në për kampionatet e forta jashtë vendit. Dhe e fundit, Reja është një njeri i madh, është një njeri shumë me përvojë në botën e futbollit, ndoshta jam shumë i vogël unë për të folur për të. Por personalisht nuk më pëlqen. Ka kaluar koha e tij, duhet një gjak i freskët, diçka që po bëjnë klubet e njohura, diçka që po bëjnë Kombëtaret e njohura”, ka deklaruar Faton Zylbehari./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *