“Dua një shpjegim nga Demi dhe Rama”, legjenda e të kuqëve propozon një emër për trajner te Partizani

Nga Klaudio Ndreca

Edmond Dosti ka bërë një analizë për situatën ku ndodhet ekipi i tij i zemrës dhe atje ku arriti që të linte gjurmë dhe tanimë konsiderohet si një ikonë e futbollit tonë. Nuk ndihet aspak mirë kur e sheh skuadrën e Partizanit që ndodhet në këto momente të vështira në Superiore. Gjithmonë e ka shfaqur publikisht idenë e tij se trajnerët italianë nuk i shërbejnë të kuqëve, ndërsa largimin e Lerdës duhet ta pasojë edhe Sormani. Në intervistën e dhënë për “Fax Sport”, Dosti propozon edhe një emër për të marrë drejtimin e skuadrës.

“Ku gaboi Partizani? Që në fillim, me largimin e trajnerit Gega. Po mundohej që të ndërtohej një skuadër për 3-4 vite të ardhshme, si në rastin e Skënderbeut. U gabua me ardhjen e Lerdës dhe këtë e kam thënë që në fillim. Pastaj kemi edhe lojtarëve e huaj që na vijnë, nuk e meritojnë jo vetëm fanellën e Partizanit, por as kampionatin shqiptar. Këta të huajt sot vijnë lehtë, ndërsa atëherë në kohën tonë që të luaje jashtë duhej që të ishe 100 herë më i mirë se ata.

Këtyre u ka mbaruar benzina dhe i kanë futur ujë për të ecur, ndërsa në kohën tonë ishte ndryshe. Sa fillonte mëngjesi dhe derisa vinte darka unë isha në fushë. E kemi ndierë peshën e kësaj fanelle dhe duke pasur tifozët më të shkëlqyer në botë si të Partizanit, ishte e mrekullueshme. Edhe sot na respektojnë njerëzit.

Kam qenë kundër trajnerëve italianë, megjithëse nuk kam gjë personale. Si mund të marrësh një trajner italian, duke bërë të njëjtën gabim. Dikur ishim 2 pikë larg Tiranës, tani jemi 15 pikë. Si ta kuptoj? Dua një shpjegim nga Rama dhe Demi. Çfarë duhet të presim më? Tan Mehmeti do të ishte njeriu i duhur për Partizanin, pasi i di më së miri problemet që ka në skuadër”, tha Dosti. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *