Vllaznia është përfshirë në një krizë financiare dhe këtë e tregojnë qartë zhvillimet e fundit në kampin shkodran. Zgjidhja e vetme e këtij problem duket privatizimi i klubit, pasi të qenurit në pronësi të Bashkisë ka sjellë vazhdimisht telashe. Biznesmeni shkodran, Alban Xhaferri, ka shprehur hapur dëshirën për të blerë aksionet e klubit të Vllazisë dhe ka zhvilluar edhe takim me kryetaren e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi.
Në një prononcim për “Report TV”, Xhaferri shprehet se ka gati projektin e tij, që do e dërgojë ekipin shkodran në nivelet që i takon dhe do të luftojë për trofe e për pjesëmarrje në Kupat e Europës. Ndërkohë thekson se Ademi duhet të mbajë premtimin e saj si dhe kërkon të ketë më shumë se 51% të aksioneve të klubit.
“Ne kemi prezantuar një plan që brenda 3-5 vite të ecim me idenë e konkurimit për tituj dhe në Kupat e Europës. Të rindërtojmë akademinë pasi Shkodra ka një potencial për të eksploruar te kjo pjesë, tek të rinjtë. Kam pasur disa takime me kryetaren e bashkisë Voltana Ademi, me të cilën kemi diskutuar në mënyrë të hapur për këtë mundësi. Siç e di i gjithë publiku i Shkodrës kryetarja e bashkisë ka dhënë një premtim që brenda afatit të mandatit saj të pritavizohet klubi. Kështu që shpresojmë që Ademi të mbajë premtimin dhe të shkojmë drejt proçedurës së ndarjes së aksioneve.
Në idenë time unë mendoj se bashkia duhet të jetë pjesmarrëse në një strukturë të re aksionere. Sigurisht në një përqindje më të vogël se ofruesi. Ne pretendojmë mbi 51% të aksioneve për të patur të drejtë vendimarrje dhe për të realizuar planet tona. Unë dua të theksoj se klubi ka një trashëgimi të madhe borxhi dhe ka një bilanc shumë negative. Duhet theksuar se faktet janë të qarta dhe normalisht kjo është një problem për një aksioner që kërkon të hyjë, por me një plan të ri problemet pastaj do vijnë duke u zgjidhur dhe duke u përmirësuar”, ka thënë Alban Xhaferri për “Report TV”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/