Ky sezon është padyshim ndër më të errëtit në karrierën e Tomas Strakoshës. Megjithëse ne fillim të vjeshtës pritej që portieri shqiptar të rritej edhe më tepër në cilësi për shkak të mbërritjes së një lojtari me eksperiencë si Pepe Reina. Por ky i fundit rezultoi të ishte “makthi” i gardianit të Kombëtares shqiptare, duke e ulur në stol për pjesën më të madhe të sezonit, pavarësisht se këtu kanë ndikuar edhe dëmtimet e Strakoshës.
Megjithatë në fund të tunelit duket dritë për portierin shqiptar. Sipas asaj që raportojnë mediat në Itali, trajneri Inzagi po mendon seriozisht për rotacionin në ekip, i cili duket se do të nisë që nga katërkëndëshi. Mes shtyllave ditën e premte pritet të jetë Tomas Strakosha, që ndaj Krotones duhet të japë më të mirën dhe të shfrytëzojë mundësinë për të bindur trajnerin se vendi i tij është pikërisht aty, e jo në stolin e rezervave./Halit Delibashi-Sport Ekspres/