Ndoshta, ishte e shkruar kështu… Prishtina ishte shumë pranë historisë, por ajo u ndal te lotaria e penalltive, ku pasi u ekzekutuan plot nëntë të tilla, fati ishte me skuadrën luksemburgeze, që kalon në turin e dytë të Europa League, pas një ndeshje që nuk mbaronte kurrë në Mitrovicë.
Ashtu si përpara shtatë ditësh, edhe në ndeshjen e kthimit, sonte, në Kosovë, Prishtina dhe Fola Esk janë ndarë sërish në barazim pa gola dhe, pas 120 minutash, bashkë me shtesën, arbitri ka vërshëllyer duke çuar gjithçka te ekzekutimet e 11-të metërshave…
Dhe, përpos mrekullive të portierit Visar Bekaj, që neutralizoi tre penallti të ekipit nga Luksemburgu, homologu i tij bëri më mirë, duke pritur katër të tilla dhe duke i dhënë kualifikimin të tijve.
Një dramë e vërtetë, kur mendon se Prishtina ishte fare pranë biletës për në turin e dytë, që do të ishte historike, pasi do të vinte për të parën herë për një skuadër kosovare, direkt nga turet e E.League.