Se pari, Vllaznia nuk ka rënë ende, ndaj është herët për të nisur vajtimin. Megjithatë, disa llogari duhen bërë dhe klubi shkodran është shumë pranë humnerës. Nëse Vllaznia bie, lind një problem i paparashikuar për Federatën Shqiptare të Futbollit, sepse në rregullore nuk është shkruar askund çfarë ndodh me Vllazninë B.
Së pari, rregullorja e FSHF-së shkruan se Vllaznia B bie nga kategoria nëse Vllaznia A bie në të Parën. Deri këtu e qartë, por ajo që FSHF nuk e ka parashikuar është luajtja e ndeshjeve play-off pa përfunduar Superiorja.
Kjo do të thotë që Vllaznia B do të ndeshet me Orikumin të premten, por realisht a duhet luajtur ajo ndeshje? Sipas rregullores, Vllaznia B zbret nga kategoria nëse bie Vllaznia, ndaj ç’kuptim ka kjo finale me Orikumin?
Në vendet që lejojnë ekipet B të luajnë në futbollin profesionist, ekipi B zbret automatikisht në vendin e fundit në raste si ky i Vllaznisë B dhe për pasojë ekipi i vendit të fundit ngjitet një vend më sipër. Këtu përfiton realisht Tërbuni, që duhet të luajë kundër Orikumit në play-off.
Justifikimi që mund të përdorë FSHF është se Tërbuni doli i fundit në fushë dhe i takon të zbresë nga kategoria, por logjika thotë që nëse Orikumi humbet në fushë finalen kundër Vllaznisë B, pse qenka më i favorizuar se Tërbuni?
Material për gjyq, Tërbuni ka të drejtë të ankohet dhe FSHF ka bërë një autogol duke mos e shkruar në rregullore pse përfiton Orikumi dhe jo Tërbuni. Në këtë moment, i bie që Orikumi luan për qejf, sepse nëse bie Vllaznia A, finalja e së premtes nuk ka asnjë vlerë reale.
Zgjidhja është e thjeshtë: finalja play-off shtyhet derisa të mësohet fati i Vllaznisë A dhe nëse skuadra shkodrane bie, duhet konsultim me UEFA-n ose ndonjë nga rregulloret e shteteve që kanë ekipe B. Logjikisht i takon Tërbunit të kalojë Vllazninë B në renditje, ashtu si Mamurrasi ka zbritur i fundit në Kategorinë e Dytë dhe ka përfituar ekipi që është aktualisht i fundit në grup, duke mos zbritur nga kategoria.