Peshëngritja shqiptare, medaljet dhe dopingu, një histori që nuk ka kurrë fund të lumtur. Një tjetër tronditje e madhe ka ardhur për të shkundur nga themelet këtë sport. Evangjeli Veli, peshëngritësja shqiptare që u shpall kampione Europe me organizimin që u mbajt në Tiranë me dy medalje ari dhe një të argjendë, duhet të lërë çmimet e fituara.
Në testin A i janë gjetur gjurmë stanazololi dhe në këtë mënyrë është ngrirë gjithçka është arritur, deri në testin B. Por kjo nuk është hera e parë që situata të tilla po ndodhin, madje vetëm nën drejtimin e Elez Gjozës, ky ishte rasti i tretë i kapur në një hark kohor të shkurtër, vetëm një vit e katër muaj.
Më herët kanë rezultuar positiv emra si Arbër Cercizi dhe Nektario Ismailani. Tashmë listës i bashkohet edhe Evangjeli Veli. Menjëherë pas medaljeve të fituara do të kishte ndarje të gëzimit edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, por si gjithmonë buzëqeshja në peshëngritjen shqiptare ngrin kur kryhen testet e dopingut. /Sport Ekspres/