Një figurë e njohur dhe personalitet i sportit në Shqipëri është padyshim Roland Luçi. Tashmë i njohur për nxjerrjen e të vërtetave pa hezituar për publikun e gjerë, duke treguar herë pas here edhe prapaskenat e së shkuarës.
Këtë herë Luçi ka rrëfyer për “Sport Arena” momentin kur i duhej që të largohej nga futbolli. Kjo për shkakun se nuk mund të luante ndaj Gjermanisë me Shqipërinë, pasi ishte i dëmtuar. Por drejtuesit e shtetit tonë asokohe kishin vendosur ultimatumin, duke treguar edhe derën për daljen nga futbolli.
“Unë kam pasur një karrierë të shkurtër edhe si futbollist pasi ashtu ishin rrethanat. U dënova nga shteti i kohës në moshë 23-vjeçare. U përjashtova përgjithmonë nga futbolli atëherë. Isha pak kryelartë nga natyra dhe kisha një konflikt në turizmin e Shkodrës me drejtuesit e sportit atëherë, Mehdi Bushatin. Mehdiu nuk e mendoi që do i ktheja fjalën.
Kisha një tërheqje që nuk po më lejonte të luaja me Shqipërinë. Dhe Bushati më tha që po nuk luajta ndaj Gjermanisë, që të ishte për mua do të luaja edhe me këmbë të thyer, do t’i vë këpucët në gozhdë. Pastaj unë i’u ktheva duke i thënë: “Ti as nuk m’i ke hequr këpucët dhe as nuk m’i ke veshur. Por ishte nipi i Hysni Kapos, shoku i ngushtë të Enver Hoxhës dhe më pas do të më përjashtonin nga futbolli.
Pas këtij dënimi dhe mbas një viti, Vllaznia e filloi shumë dobët dhe pas largimit të Zhegës, unë isha lojtari i vetëm. Kishin nevojë për mua, por do të vinte edhe një dënim tjetër në vitin 1983 për ta mbyllur përfundimisht”, ka thënë Roland Luçi. /Sport Ekspres/