“Do t’i ndërroja të gjithë golat e mi me një trofe”, Kane do Europianin: Jam shumë i uritur

Harry Kane është pranë fitimit të trofeut të parë në karrierën e tij. Anglia do të luajë mbrëmjen e nesërme finalen e Euro 2024-s kundër Spanjës dhe një fitore e “tre luanëve” do t’i jepte fund thatësirës së trofeve për Kombëtaren ishullole dhe për sulmuesin e Bayern Munich-ut. Kane ka thënë në konferencë për shtyp se do t’i ndërronte të gjithë golat e shënuar prej tij me një trofe me Kombëtaren.

“Nuk është sekret që nuk kam fituar asnjë titull kolektiv. Sigurisht që do t’i ndërroja të gjithë golat e mi të shënuar me një trofe kolektiv. Sidomos për të fituar me vendin tim. (Fitimi i Europianit) Do të ndryshonte shumë për mua dhe për vendin. Ne duhet ta përdorim këtë si motivim. Është bukur të shohësh videot dhe atmosferën e njerëzve.

Jam shumë i lumtur për mundësinë që kemi për t’i bërë njerëzit të lumtur nesër. Do të jetë një betejë e madhe dhe shpresojmë ta kthejmë trofeun në Angli. Mendoj se do të ishte ndjenja më e veçantë për vendin. Jam shumë i uritur. Jemi përgatitur mirë. Jam pozitiv”, është shprehur Harry Kane./Halit Delibashi-Sport Ekspres/