Shqipëria ka mësuar sot kundërshtarët që do të ketë përballë në Euro 2024. Kuqezinjtë janë shortuar në grupin B, ku do të ndeshen me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë. Pavarësisht se gjendemi në grupin më të vështirë të turneut, Duka nuk e humb optimizmin. Presidenti i FSHF-së ka shkruar në llogarinë e tij në “Instagram” se Kombëtarja shqiptare nuk do të shkojë për turizëm në Gjermani dhe është i bindur se do të zhvillojë paraqitje të jashtëzakonshme në muajin qershor.
“Spanja, Italia, e Kroacia do të jenë kundërshtarët e Kombëtares sonë kuqezi në finalet e Kampionatit Europian ‘‘Gjermani 2024“. Është një grup shumë i bukur dhe i fortë njëkohësisht. Por futbolli është plot surpriza. Jam i bindur që Shqipëria do t’i luajë ndeshjet si e barabartë ndaj të tre rivalëve.
Respekt për Spanjën, Italinë e Kroacinë. Por pavarësisht eksperiencës së tyre në finalet e këtj kompeticioni, ne nuk do të shkojmë si turistë në Gjermani. Do të shkojmë të luajmë futboll dhe të provojmë të gjitha mundësitë tona. Ne kemi bërë një sezon të mrekullueshëm dhe jam i bindur që Shqipëria do të bëjë një paraqitje të jashtëzakonshme edhe në Gjermani vitin e ardhshëm. Forca Shqipëri. Je skuadra më e bukur në botë”, ka shkruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/