Mbretëresha Elizabeth II u nda nga jeta në moshën 96-vjeçare pasi sundoi Anglinë për 70 vjet. Ky vend tani ka një udhëheqës të ri, Mbretin Charles III. Ndërrimi i jetës së mbretëreshës shkaktoi shumë probleme kur bëhet fjalë për Premier League. Për shkak të zisë së madhe në këtë vend, janë shtyrë edhe ndeshjet e javës së shtatë, të cilat ishin menduar të luheshin fundjavën e kaluar.
Mediat në Angli raportojnë se është e diskutueshme nëse ndeshjet do të luhen edhe këtë fundjavë, pasi kanë një problem të madh. Në qendër të vëmendjes së të gjithë vendit sigurisht që do të jetë funerali i Mbretëreshës Elizabeth dhe për këtë është e qartë se të gjitha televizionet do t’i kushtojnë vëmendjen më të madhe dhe se ndeshjet nuk janë në plan të parë për momentin.
Përkatësisht, Sky Sports është në ngarkim të transmetimit të ndeshjeve të Premier League, por ky televizion u gjend në një problem të madh para ndeshjeve që do të luhen këtë fundjavë. Sipas mediave angleze, problemi kryesor është fakti se ky televizion nuk ka mjaftueshëm kamionë televizivë për të realizuar transmetime të drejtpërdrejta për ndeshjet e kësaj fundjave pasi siç përmendëm në qendër të vëmendjes do të jetë varrimi i mbretëreshës.
Sky Sports prej ditësh përdor kamionë dhe pajisje të tjera për transmetim për ngjarjet Mbretëreshës, prandaj është problem i madh nëse do të kenë kushte të mjaftueshme për të transmetuar Premier League. Ky televizion duhet t’i transmetojë të nëntë ndeshjet, por pyetja është nëse i kanë kushtet për t’i realizuar në fundjavë. /Sport Ekspres/