Partizani do të përballet me Saburtalon në turin e parë të Ligës së Konferencës. Të kuqtë kanë nisur përgatitjet në Slloveni në mënyrë që lojtarët të arrijnë formën e duhur fizike për të qenë gati për t’u përballur me ekipin Gjeorgjian. Dritan Mehmeti ka folur në një lidhje direkte për emisionin “Fair Play“ në “Syri TV“, ku shpjegon edhe avantazhet që kundërshtari ka përpara sifdave të turit të parë kualifikues.
“Për sa i përket kundërshtarit, unë mendoj që në futboll nuk mund ta quajmë asnjë kundërshtar të lehtë. Një ndeshje përgatitet përpara dhe në momentin që ti mendon se ajo ndeshje është e lehtë, atëherë ke bërë gabimin më të madh. Mendoj që kundërshtari duhet respektuar, sepse kanë një plus. Është java e 17 që luhet në Gjeorgji. Janë në kampionat dhe ata kanë ritmin e duhur në të gjithë komponentët, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë tekniko-taktik. Skuadra është e harmonizuar në të gjitha komponentët që përbëjnë një skuadër futbolli. Kështu që këto janë të gjitha arsyet që i rrisin shkallën e vështirësisë kësaj skuadre. Megjithatë ne do të bëjmë maksimumin që të arrijmë ta kalojmë këtë tur”, është shprehur Dritan Mehmeti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/