Kombëtarja shqiptare nisi zyrtarisht ditën e hënë përgatitjet për dy ndeshjet ndaj Ukrainës (7 shtator, “Epet Arena”) dhe Gjeorgjisë (10 shtator, “Air Albania”), të vlefshme për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Në kuadër të këtyre dy sfidave të rëndësishme për kuqezinjtë, sulmuesi Taulant Seferi dhe mesfushori Arbër Hoxha dhanë prononcimet e tyre për fshf.org, duke treguar objektivat e Shqipërisë në këtë kompeticiondhe se si po shkojnë përgatitjet e Kombëtares.
Arbër Hoxha u shpreh se skuadra po përgatitet maksimalisht për të marrë rezultate pozitive në këto dy ndeshje të para të Shqipërisë në Ligën e Kombeve. Mesfushori kuqezi vlerëson dy kundërshtarët ndërsa tregon objektivat e Kombëtares në këtë edicion të ri të Ligës së Kombeve, që është vendi i parë në grup. Ndër të tjera, Hoxha i bën thirrje tifozëve shqiptarë të jenë të pranishëm në stadiumin “Air Albania” në ndeshjen kundër Gjeorgjisë, më 10 shtator.
Ndeshja me Ukrainën – Së pari dua të fokusohemi te ndeshja e parë me Ukrainën, që e kemi më 7 shtator. Është një kundërshtar i fortë, ka lojtarë shumë cilësorë në radhët e veta. Kemi edhe disa ditë për të përgatitur ndeshjen dhe të fokusohemi 100% që të arrijmë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje.
Sfida me Gjeorgjinë në “Air Albania”– Është një ndjenjë e madhe sepse është ndeshja ime e parë në stadiumin “Air Albania”. I bëj thirrje shqiptarëve që të jenë sa më të shumtë dhe të mbushin stadiumin.
Objektivi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve? – Duke marrë parasysh që është një mundësi shumë e mirë për Botërorin, pse mos të renditemi në vendin e parë. Kemi skuadra shumë të forta në grup, por ne do të japim maksimumin gjithmonë për Kombëtaren tonë.