Në Hamburg të Gjermanisë, Shqipëria ka mësuar sot kundërshtarët në Euro2024. Goglat nuk u treguan aspak bujare me kuqezinjt. Përballë ekipit të Silvinjos do të jenë Spanja, Kroacia dhe Italia. Një grup tejet i vështirë, ku Shqipëria duhet të tregojë forcën e saj dhe të mundohet të jetë surpriza e madhe e këtij Europiani. Trajneri i Kroacisë ka dhënë përshtypjet e tij të para për shortin e Euro 2024 për mikrofonin e “SuperSport”-it, teksa ka treguar respekt maksimal për Shqipërinë.
“Është grupi më i vështirë kundër Spanjës, Shqipërisë dhe Italisë. Do të jetë një luftë e madhe, objektivi është të kalojmë grupin. Shqipëria doli e para në grup dhe ka luajtur mirë, nuk do të jetë e lehtë. Por jam optimist dhe do të bëjmë më të mirën për veten tonë. Respekt i madh për Shqipërinë sepse ishin të parët në grup dhe presim një ndeshje të vështirë. Shkarkimi nga Dinamo shumë vite më parë? “Ka shumë kohë, kalova tetë muaj dhe ishte mirë për mua. Shihemi në qershor”, ka thënë Zlatko Daliçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/