Murinjo mund të rinisi një aventurë të re në “Premier League”, këtë herë për të marrë drejtimin e Everton. Ky është raportimi i “Daily Mirror”, teksa shkarkimi i Rafa Benitez nga Evertoni është vetëm çështje kohe. Skuadra ndodhet mes vendeve të fundit të tabelës dhe tifozët u larguan nga stadiumi që në minutat e para ndaj Liverpulit, pasi skuadra u dorëzua që në fillim.
Drejtuesit e skuadrës kanë Murinjon si zëvendësuesin e parë të Benitez. Mbetet për t’u parë nëse trajneri do të heq dorë nga drejtimi i Romës, ku në fakt gjërat nuk po shkojnë ashtu siç priteshin. Pankina është në rrezik pasi ndeshjet e fundit nuk flasin aspak në favor të kryeqytetasve, teksa zona e “Champions League” është më shumë sesa e vështirë për t’u arritur nëse vazhdohet të luhet në të njëjtën mënyrë. Një kalim i tillë mund të ndryshonte edhe fatin e Marash Kumbullës dhe të vazhdojë qëndrimin te Roma. /Sport Ekspres/