Ditën e sotme ka qarkulluar në media lajmi për zhvendosjen e finales së Kupës së Greqisë në Tiranë. Hipoteza e zhvillimit të përballjes mes AEK-ut të Athinës dhe PAOK-ut ka marrë edhe pëlqimin e Armand Dukës, por me kushtin e vetëm, ndërrimin e datës së finales. Kreu i FSHF-së pranoi për “SDAN“-në se e pranon me kënaqësi zhvillimin e finales së Kupës së Greqisë në “Air Albania“, por problemi qendron në faktin se në datën e planifikuar stadiumi do të jetë në dispozicion të këngëtarit Nikos Vertis.
“Ne po përballemi pozitivisht me mundësinë e pritjes së finales së Kupës së Greqisë në Tiranë, do të ishim më se të lumtur ta bënim këtë. Fatkeqësisht, problemi me datat është i Federatës Greke të Futbollit dhe jo i yni. Më 24 maj është e pamundur të luhet ndeshja në stadiumin ‘Air Albania’. E vetmja datë e disponueshme nga ana jonë është 19 maj”, ka thënë Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/