Dinamo prej vitesh po endet në kategoritë inferior të futbollit shqiptar. Një klub me shumë histori që në të shkuarën ka qenë gjithnjë në elitë dhe madje luftonte për trofe, tashmë e gjen veten duke luftuar për mbijetesë në Kategorinë e Parë. Shumë nga shkëlqimi i Dinamos ka humbur vitet e fundit, ndërsa drejtuesit e bluve po përpiqen ta rikthejnë sërish. Prej nëntorit drejtues të rinj kanë marrë në zotërim kryeqytetasit, ndërsa në janar ishin tepër aktiv në merkato për të pasuruar organikën e tyre me elemente që shihen sit ë duhurit për të realizuar objektivat e klubit.
Synimi i këtij sezoni është qendrimi në Kategorinë e Parë, ndërsa nga kampionati i ardhshëm mund të nglumohet për rikthim në vendin ku i takon, në Superiore. Në një intervistë për “Top Channel” ka folur edhe administratori i klubit të Dinamos, Ermal Barushi, i cili rrëfen se e ka marrë skuadrën me vetëm 1 pikë dhe 1 gol të shënuar. Megjithatë investimet e bëra tregojnë objektivat e tyre, ndërsa Barushi zbulon se po studiojnë shtëpinë e re të Dinamos, që do të ketë edhe qendrën e vetë stërvitore dhe kushtet e duhura për të synuar ngjitjen në elitë.
“Pas dy muajve pushim jemi përpjekur të fillojmë stërvitjen pas lajmërimit të qeverisë dhe Federatës në datën 18. Te ne situata është e mirë në përgjithëse. Problematikat dihen, është akoma problemi i transportit të lojtarëve nga qyteti në periferi të Tiranës, por gjithsesi e kemi gjetur një formë për të bërë më të mirën e mundshme. Tani le të themi problemi kryesor është ai i mungesës së stafit dhe të lojtarëve. Kjo ka ardhur për arsye se drejtori sportiv dhe përgatitësi atletik janë italian, ndërsa 3 lojtarë janë të huaj.
Objektivi? Kemi marrë ekipin në fund të nëntorit me 1 pikë dhe një gol. Komplet struktura e skuadrës është ndryshuar në janar, megjithatë ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme. Objektivi kryesor është ta shpëtojmë këtë legjendë nga rënia e kategorisë. Konkretisht ne po studiojmë një ambient për të marrë një strukturë, për të bërë një shtëpi të Dinamos, që të ketë një qendër sportive.”, është shprehur Ermal Barushi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/