”Do ta dëgjoni përsëri… bum, bum, erdhi Sadiku”

Nga Moisi Dalipi

Edhe pse këto ditë sulmuesi potent Armando Sadiku është duke shijuar pranë familjes pushimet verore pas një sezoni që nuk ka kënaqur fort dëshirat e tij, në intervistën dhënë për “Sport Ekspres” me shumë kujdes sulmuesi i kombëtares sonë i prek të gjitha në përgjigjet e tij. Nga jeta private te aventura në Spanjë, duke prekur edhe temën e kombëtares, me Sadikun që nuk ishte në miqësoret e fundit, aq shumë të debatuara e aq shumë acaruese për lojën dhe rezultatet e Shqipërisë. E veçanta është se në rrëfimin e tij në premtimin që bën për të ardhmen e thotë qartë: ”Do ta dëgjoni përsëri… bum, bum, erdhi Armando Sadiku”.

 

-Armando, si jeni duke i kaluar pushimet verore?

-Me thënë të vërtetën, këto pushime kam vendosur t’i kaloj pranë familjes time në Elbasan. Nuk bëra zgjedhje tjetër, sepse më duket se ditët shijohen më mirë më njerëzit më të dashur. Kam bërë disa ditë pushime në Vlorë dhe tani pranë familjes.

-Duket se e fejuara juaj Elona nuk ju ndahet këto ditë?

– Natyrshëm të ndodhë kështu, por në këtë drejtim më gëzon fakti që prindërit dhe të afërmit e mi ndiejnë kënaqësi për praninë e saj gjatë këtyre ditëve në familjen tonë.

-Këto ditë janë pushim absolut, apo zbatoni program stërvitjeje?

– Kam një program stërvitje me ngarkesa jo shumë të mëdha që e zbatoj çdo ditë me shumë kujdes. Ushtrime force në palestër, vrapime dhe pak ushtrime me topin.

-Kur do i fillojë përgatitjet për sezonin e ardhshëm skuadra juaj e Levantes?

– Më 6 korrik nisin përgatitjet. Edhe pse këto ditë jam pranë familjes, lidhjet me drejtuesit dhe shokët e skuadrës i mbaj vazhdimisht. Flasim, shkëmbejmë mendime dhe konsultohemi për zbatimin e programit individual që kemi në zbatim.

-Pak ditë më parë në shtyp ka dalë lajmi se Levante e ka nxjerr në shitje Armando Sadikun?

– E lexova edhe unë këtë gjë, por le ta quajmë më mirë një “skup” të ditëve të merkatos. Unë kam kontratë tre-vjeçare me Levanten dhe synojë ta respektoj atë deri në fund. Gjithsesi, për gjithçka që mund të ndodh unë jam i përgatitur për të mirën.

-Si do e vlerësonit paraqitjen tuaj në Spanjë?

– Nuk i kënaqa shumë dëshirat dhe pritshmëritë e mia. Dihet qe tek Levante erdha në janar të këtij viti dhe për gjysmën e sezonit janë aktivizuar vetëm në gjashtë ndeshje, ku në katër prej tyre e kam nisur ndeshjen si titullar. Dëmtimet e shpeshta dhe konkurrenca e fortë për një vend në formacion kanë ndikuar jo pak.

-Mendoni se trajneri Pako Lopez do t’ju besojë për t’ju dhënë një shans në të ardhmen?

– Gjithçka arrihet me punë, me stërvitje dhe përkushtim. Këtë duhet ta bëj edhe më mirë për sezonin e ardhshëm. Vendi i titullarit fitohet, nuk dhurohet nga askush. Nga natyra jam optimist, ndaj besoj tek mundësitë dhe forcat e mia dhe besoj se do t’i bind drejtuesit e skuadrës.

-Armando Sadikut i mungon goli i shënuar në La Liga…

– Konstatim i drejtë, më mungon shumë ky gol i shumëpritur. Gjithsesi, le të shpresojmë dhe të besojmë se do vijë shpejt në sezonin e ri.

-Përse trajneri Panuçi ju la jashtë liste për dy ndeshjet miqësore ndaj Kosovës dhe Ukrainës?

– Bashkë me mua jashtë kësaj liste kanë qenë edhe shumë titullarë të tjerë. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Mendoj se arsyeja e vetme tashmë dihet dhe është pranuar dhe nga ana ime: aktivizimi im jo i plotë në ndeshjet me skuadrën e Levantes. Megjithatë, këtu janë të pranishme dhe elementë të tjera që kanë të bëjnë me të drejtën e trajnerit për të provuar edhe sulmues të tjerë në ndeshje të tilla.

-Në dy këto ndeshje miqësore humbje të thella. Si i keni përjetuar ato?

– Kuptohet, jo mirë. Më pëlqeu skuadra e Kosovës, që duhet pranuar ka rritje. Me Ukrainën pas pësimit të golit të dytë ra shumë loja e skuadrës tonë. Gjithsesi, le të shpresojmë se ndryshimi i kërkuar do vijë shpejt, që në muajin shtator, për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

-Në grup bëjnë pjesë Shqipëria, Skocia dhe Izraeli. Ju besoni tek ndonjë kualifikim i mundshëm?

– Grupi nuk është i lehtë, por do bëjmë gjithçka për ta synuar një gjë të tillë. Edhe për finalet e Francë 2016 shumë pak besonin në kualifikimin e Shqipërisë, por fakti tregoi se ja arritëm t’ia dalim mbanë.

-Presidenti Duka pas dy humbjeve në këto ndeshjet miqësore është shprehur se duhet të presim reflektim te skuadrës dhe trajnerit tek këto ndeshje zyrtare, ndryshe do ketë masa…

– Ekipi ynë kombëtar ka treguar se di të bëjë autokritikën e duhur në kohën e duhur. Besoj tek stafi i trajnerëve dhe shokët e skuadrës dhe mendoj se kthesa e kërkuar do vijë pikërisht në këto katër ndeshje zyrtare.

-Pak ditë më parë është ndarë nga jeta presidenti i Federatës së Kosovës, legjenda Fadil Vokrri.

– Kam pasur rastin të takohem dy herë me këtë figurë sportive dhe më ka lënë mbresa shumë të mira. Mamaja ime është me origjinë nga Podujeva, nga fisi njohur i Xhakajve, dhe unë jam edhe dhëndër në Kosovë. Bashkohem me të gjitha ngushëllimet për familjen, fëmijët dhe njerëzit e tij.

– Cili është mendimi dhe vlerësimi juaj për trajnerët De Biazi dhe Panuçi, duke qenë se po bëhen shumë krahasime?

– Secili ka specifikat dhe mënyrën e tij të punuarit dhe vepruarit. Të dy karakterizohen nga dëshira për të bërë më mirën me skuadrën. Të dy  kanë përvojën dhe janë përgatitur si futbollistë dhe trajnerë nga shkolla e njohur e futbollit italian. Mjafton kaq.

– Keni përvojë dhjetë-vjeçare në futbollin shqiptar, zviceran, polak dhe së fundi atë spanjoll. Cilat janë dallimet midis tyre?

– Tek ne duhet ende punë për arritur nivelet e tyre. Futbolli zviceran është argëtues dhe bën të shpërthejnë talentet. Kampionati polak është i fortë, i ashpër dhe kërkon përgatitje të lartë fizike. La Liga spanjolle dihet që ka kërkesa më të larta në çdo drejtim për të treguar vlerat si futbollist profesionist.

– i mbani lidhjet me shokët e ish-skuadrave ku jeni aktivizuar?

– Patjetër që po. Pak ditë më parë Legia e Varshavës u shpall kampione e Polonisë. i telefonova dhe i urova drejtuesit dhe shokët e skuadrës. Nuk e harroj lehtë, sepse kam kaluar një periudhë të mirë kohe tek kjo skuadër, që në një farë mënyre ishte edhe vitrina ime për të kaluar në futbollin spanjoll.

– Arkiva e karrierës tuaj përmban deri tani 345 ndeshje të zhvilluara dhe 141 gola të shënuar, ku veçohen 33 ndeshje me ekipin kombëtar dhe 11 gola të shënuar. Bilanc personal i kënaqshëm?

– Të kuptohemi drejt, janë ndeshje të zhvilluar dhe gola të shënuar këtu në Shqipëri me skuadra të ndryshme,  me ekipin kombëtar dhe në kampionatet jashtë vendit. Jam vetëm 27 vjeç dhe mendoj se në të ardhmen kjo shifër të rritet dhe më shumë.

– Do të veçonit ndonjë ndeshje ose gol të shënuar?

– Do veçoja tre ndeshjet e ekipit tonë kombëtar në finalet e Francë 2016 dhe golin që shënova në ndeshjen me Rumaninë. Janë momente të veçanta dhe të përjetuara me shumë gëzim dhe emocione.

– Ato ditë të bukura Elbasani është krenuar shumë me ju.

– Edhe unë jam shumë krenar që jam pjesë që e këtij qyteti të lashtë, të bukur, me kulturë dhe futbolldashës. Këtu jam lindur, jam rritur dhe përgatitur si futbollist. Gjej rastin t’i falënderoj tifozët dhe drejtuesit e qytetit tim që ato ditë vendosën fanellën time të ekipit kombëtar tek bedenat e kalasë dhe më vlerësuan me titullin “Qytetar Nderi”. Ndihem shumë mirënjohës.

– Duket se këtë mirënjohje keni filluar ta tregoni dhe gjatë këtyre ditëve.

– Unë i vlerësoj shumë modeste ndihmesat e mia për riparimin e shtëpive ne qytetin tim, të disa familjeve me gjendje jo mirë ekonomike, apo rasti atij djalit vogël Xhuljo në emisionin e Top-Channel, ose shtrimi i një vakti iftar për ata që agjërojnë këto ditë. Dashuria dhe ndihma për njerëzit në nevojë mendoj se të kthehet shumëfish për mirë.

– Skuadra e qytetit tuaj ende nuk është aty ku duhet…

– Këtë fakt nuk e përjetoj mirë. Më vjen shumë keq që këtu ka talente në futboll, por skuadra e Elbasanit vuan jo pak. Rikthimi në Kategorinë e Parë le të shërbejë si një piketë për të bërë shpejt ndryshimin e kërkuar.

– Si ndihemi kur njerëzit e qytetit tuaj, por jo vetëm, ju përshëndesin në rrugë ose në ambiente të tjera?

– Dikur dhe unë kur isha fëmijë adhuroja dikë që shkëlqente në futboll dhe dëshiroja t’i flisja dhe përshëndesja. Kur kam pasur mundësi e kam bërë me futbollistët elbasanllinj të atyre viteve. E thënë më qartë, ndihem mirë kështu dhe ua kthej me mirësjellje, pasi më kujtohet fëmijëria ime.

– Nesër fillojnë finalet e Botërorit Rusi 2018…

– Zhurma ka kohë që ka filluar, por nesër jepet starti. Në vlerësimin tim do jenë finale të një niveli më të lartë se ato të kaluarat. Janë shtuar skuadrat pretendente për fitimin e titull. Kjo do t’u japë ndeshjeve më shumë ritëm, bukuri dhe dramacitet.

– Për cilën skuadër bën tifo Armando Sadiku?

– Që fëmijë adhuroj Brazilin. Si familje bëjmë tifo për këtë skuadër. Megjithatë, në ndeshjen e parë në grup Brazil–Zvicër unë do shmangem nga “grupi familjar” , sepse dëshiroj të marrë një rezultat të mirë Zvicra. Kam një pjesë të mirë të mirë të karrierës time në kampionatin zviceran, por dhe për arsyen se në ekipin e tyre bëjnë pjesë katër shqiptarë Xhaka, Behrami, Xhemaili dhe Shaqiri.

– Për ta mbyllur intervistën, një mesazh apo premtim nga ju?

– Ju them të gjithë tifozëve dhe dashamirësve të mi se do ta dëgjoni përsëri atë shprehjen e thënë nga gazetari Dritan Shakohoxha “bum, bum, erdhi Armando Sadiku”.

Ju faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *