Harry Kane humbi sërish shansin për të fituar trofeun e tij të parë në karrierë. Ajo humbje në minutat e fundit ndaj Spanjës në finalen e EURO 2024-s ka sjellë trishtim në fytyrat e lojtarëve të Anglisë. Sulmuesi i Bayern-it ka thënë për mediat angleze se e ka të vështirë ta pranojë atë gol në minutat e fundit. Kane shprehet se kjo humbje do t’i dhembë për një kohë të gjatë.
“Është e vështirë të gjesh fjalët se si ndihemi tani. Një ndeshje e vështirë. Bëmë mirë për t’u kthyer sërish në lojë dhe na u nevojit shumë përpjekje për t’u përmirësuar. Të pësosh një gol në minutat e fundit është shumë e vështirë për t’u pranuar. Kemi bërë përmbysje gjatë gjithë kampionatit. Në pjesën e parë e kishim të vështirë të mbanim zotërimin e topit. Në pjesën e dytë ishim më mirë dhe shënuam golin.
Ata na kapën me një krosim dhe kjo është mënyra se si përfundoi. Ne humbëm një mundësi. Këto finale nuk janë të lehtë për t’u arritur. Duhet të përfitosh prej tyre dhe ne nuk e bëmë këtë gjë sërish. Është e dhimshme dhe do të na dhembë për një kohë të gjatë. Southgate-t do t’i duhet pak kohë për të vendosur (për të ardhmen). Donim të fitonim edhe për atë”, ka deklaruar Harry Kane./Halit Delibashi-Sport Ekspres/