Sergio Porrini ka marrë rolin e ndihmësit të trajnerit Reja në pankinën e Kombëtares kuqezi, ku bindën në atë kohë të shkurtër që iu dha në sispozicion, duke iu ofruar kështu një zgjatje kontrate. Ish-futbollisti i Juventusit dhe Atalantës, ka dhënë një intervistë të gjatë për median italiane “itasportpress”, ku nuk mund të mos përmendte ndër të tjera eksperiencën e tij me Shqipërinë.
Porrini tregon se në vendin tonë është investuar shumë në futboll dhe se po ecet me një project të qartë për të synuar sa më lart. Ndihmësi i Rejës vlerëson rritjen e futbollistëve shqiptar, si dhe veçon figurat që luajnë në elitën italiane. Si model ideal për Kombëtaren kuqezi sheh Irlandën, ndërsa thekson se po punohet që Euro 2016 të mos mbetet i vetmi hap madhor i Shqipërisë, por që pjesëmarrje të tilla të vijojnë edhe në të ardhmen.
“Kemi rinovuar kontratën me mister Rejan. Është një projekt i bukur rritjeje për të sjellë Kombëtaren e Shqipërisë në nivele të rëndësishme. Pas kampionatit Europian 2016, perspektiva ka ndryshuar. Drejtuesit kanë investuar shumë. Në bazë ka një dëshirë që të rritemi me një projekt specifik për të qëndruar lart. Shqipëria ka pasur rritje, veçanërisht nga këndvështrimi mbrojtës. Kemi mbrojtës shumë interesantë si Kastriot Dermaku, Marash Kumbulla, Berat Djimsiti, si dhe portierë si Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha.
Theksimi i vetes në kampionate të nivelit të parë është shumë i rëndësishëm për projektin tonë. Rritja në një kompeticion konkurrues mund të na ndihmojë të përmirësohemi përgjithësisht. Shpresa është pikërisht për të formuar një grup të aftë që të mbetet i lartë për një kohë të gjatë, duke shmangur që Euro 2016 të mbetet një rast i izoluar. Modeli ynë në këtë kuptim është Irlanda, e cila gjithmonë ka arritur të ndërtojë hapësirën e saj në një nivel kontinental vitet e fundit. Ka entuziazëm nga të gjithë. Tani detyra jonë është të zbulojmë talentet e reja”, ka thënë Sergio Porrini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/