Jaja Ture do të nisë një aventurë të re në kampionatin brazilian. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë ka përfunduar kontratën me skuadrën kineze Qingdao Huanghai që në muajin dhjetor dhe tani po projekton të ardhmen. Luiz Roberto Leven, i cili është një kandidat serioz për karriken e presidentit të Vasko da Gamës, ka bërë me dije se ka arritur marrëveshjen me ish-mesfushorin e Manchester City-t në rast se do të zgjidhet në krye të klubit. E një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe vetë lojtari, i cili pranon se do të firmosë për sezonin e ardhshëm me Vasko da Gamën.
Por kjo marrëveshje ka ndezur edhe polemika e pakënaqesi, teksa presidenti i Botafogos në Brazil flet hapur dhe nuk kursehet me fjalët për 37-vjeçarin. Rikardo Rotenberg zbulon se ka negociuar me Ture që prej shkurtit dhe kishin arritur një dakortësi paraprake. Megjithatë mesfushori afrikan do të dilte me pretendimin se gruaja e tij nuk dëshiron të jetojë në Rio De Zhaneiro, por nga ana tjetër merr vendimin për të luajtur me Vasko da Gamën, një ekipi i po këtij qyteti. Sjellja e Jaja Ture ka sjellë një shije vërtetë të keqe te presidenti i Botafogos, që shprehet se lojtari ëshët pa karakter dhe nuk e mban fjalën.
“Propozimi i Vasko da Gamës tregoi se Jaja nuk interesohet për të luajtur futboll, sepse ai nënshkroi diçka për vitin e ardhshëm. Është një djalë që nuk mund ta mbajë fjalën e tij. Ai paraqet një sjellje pa karakter. Unë as nuk dua ta njoh atë sot. Nuk jemi një ekip frikacakësh. Jaja nuk e meriton të veshë një fanellë të Botafogos, ai nuk është Honda. Faleminderit Zotit që zbarkoi Honda në Botafogo dhe jo Ture. Nuk ka asnjë krahasim mes tyre jashtë fushës. Do i bëj bllok në telefon”, tha kreu i klubit të Botafogos, Rotenberg./Halit Delibashi-Sport Ekspres/