Bedri Greca është njeriu që ka vendosur ndeshjen mes Katriotit dhe Dinamos. Krutanët arritën që të fitonin me shifrat 2-0, falë realizimeve në pjesën e dytë. Në të parën skuadra e Celës ka zbatuar planin e saj për t’i ndaluar kundërshtarëve që të luajnë futboll, duke u krijuar fare pak raste.
I vetmi moment i rrezikshëm ishte minuta e 13 ku pasi Denilson merr bukur krahun dhe nxjerr me portën e boshatisur Cinedu, ky i fundit vepron si të ishte mbrojtësi i Kastriotit, duke nxjerrë topin jashtë. Me nisjen e së dytës, Kastrioti goditi rivalin në shansin e parë. Greca la mbrapa Maliqin dhe mposhti Simonin, pasi u gjend përballë tij.
Lojtari nisi që të festonte duke u lutur, por me siguri që lutjet ishin për fundin e trishtë të Dinamos. Greca nuk tregoi mëshirë as në minutën e 69 duke mbyllur historinë e ndeshjes. Tanimë Kastrioti është rikthyer me plot kuptimin e fjalës në Superiore, për të kërkuar mbijetesën, ndërsa Dinamo zhytet gjithmonë e më tepër. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Shkëmbi: “Mendoj se jemi munduar t’i ndryshojmë skuadrës atë për të cilën vuajmë, por edhe sot nuk bëmë atë që duhet të bënim. Nuk arritëm të kalonim në avantazh në pjesën e parë. Moment i vështirë, moment i keq, po kthehen hijet e ndeshjeve të para. Duhet të reflektoj edhe unë, do flas me presidentin dhe do bëj më të mirën për klubin. Me qetësi do vendosim se çfarë do të bëjmë. I falënderoj çunat, arritëm të bëjmë maksimumin në një fushë të vështirë, ndeshje dhe arbitër të vështirë. Nuk është dorëzim, por duhet të flasim me presidentin për të vendosur më të mirën,se çfarë duhet të bëjmë”.
Cela: “Greca është një nga pikat më të forta. E ndërtojmë mënyrën e lojës për të shfrytëzuar aftësitë e çdo lojtari. Ne i kishim marrë informacionet që Dinamo do të luante me 2 sulmues dhe u munduam që të aplikonim presingun ultra ofensiv. Pas minutës së 20-të u vonuam dhe me vështirësi e futëm ekipin në ekuilibër. Në momentet që na digjnin linjën e presingut, patëm vonesa në ekuilibrin e ekipit. Dalja e Salit? Në momentin e parë, ajo që më erdhi në mendjen është të futesha në fushë dhe ti bëja sparkatë Denisonit”.