Dueli Partizani-Vllaznia i dha një tjetër kurs garës për titullin kampion në një kohë kur kanë mbetur edhe 90 minuta nga përfundimi i kampionatit. Kuqeblutë fituan me rezultatin minimal 0-1, me një gol të ardhur nga një penallti aq shume e kontestuar. Në një intervistë për gazetën “Tema”, presidenti Gaz Demi ka reaguar ashpër kundër Enea Jorgjit. Presidenti i Partizanit shton se është i gatshëm të ndjekë rrugën ligjore me arbitrin Jorgji.
“Unë pas ndeshjes urova kryebashkiaken e Shkodrës dhe sponsorin, z. Xhaferi. U prononcova dhe pak para mediave brenda korrektësisë sime, por kur erdha në shtëpi dhe shikoj çfarë lloj penalltie është dhënë, pavarësisht se ekipi im s’më dha ndjesinë që prisja, tani pasi e kam parë disa herë them që ky monstër Enea Jorgji është një i pafytyrë fhe do e shohim ç’do bëj rrugës me të, se unë do jem për një kohë të gjatë në futbollin shqiptar.
Dëgjova se kishte thënë që nuk e bënte pis ndeshjen, por ky qenka një person pa dinjitet që me këtë që ka bërë do mbetet në histori si një pisanjos që ka njollosur veten në futbollin shqiptar. Patjetër që ne si Partizan me këta rrugeçër do ndjekim gjithmonë rrugët ligjore për të çuar futbollin shqiptar në rrugë të drejtë dhe patjetër që një monstër si Jorgji do çohet për ndjekje penale nga ne.
Foli edhe trajneri Ilir Daja dhe ne nga arbitrimi jo korrekt jemi minumumi minus 6 pikë. Gol i anuluar në Fier, gol i anulluar me Teutën në “Elbasan Arena”, gol i anulluar në Laç. Ka edhe shumë të tjera por po flas për këto raste që gjithë moviolistët i kanë dhënë të drejtë Partizanit. Ne si Partizan do luftojmë që të jemi një pjesë e mirë e rregullave fair-play”, ka deklaruar Gaz Demi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/