“Do e paguani”, ish-kapiteni i Tiranës shpërthen ndaj Beqajt: Firmose 410 milionë dollarë konçesione, guxo të prekësh pensionistat

Një deklaratë e fortë dhe akuza vijnë nga ish-kapiteni i Tiranës, Elvis Sina, për ish-ministrin e shëndetsisë, Ilir Beqaj. Shqetësimet e ngritura prej tij janë mëse të drejta, pasi thuhet se Shqipëria po e vuan këtë izolimin total pikërisht për sistemin shëndetsor delikat. Nga ana tjetër, Beqaj propozoi edhe uljen e pensioneve, megjithëse dihet fare mirë se pagesa që marrin është në kufirin e qesharakes. Gjithashtu duke treguar edhe konçesionet që ka firmosur Ilir Beqaj që kapin vlerën e 410 milionë dollarëve.

Postimi i plotë

Ilir Beqaj ka propozuar para dy ditesh uljen e pensioneve si një nga masat për të përballuar krizën ekonomike që po vjen si pasojë e izolimit të ekonomisë.

Dy fjalë për të:

Ku e gjen ti guximin të kërkosh sakrificën e pensionistëve?

Arsyeja përse u izoluam në karantinë ishte sepse sistemi ynë shëndetësor nuk e përballonte dot fluksin e të sëmurëve.

Nuk e përballonte dot sepse ti lekët e spitaleve të reja, pajisjeve shëndetësore, ilaçeve e rritjes së pagave të mjekëve dhe infermierëve i bëre kontrata konçesionare për miqtë e tu dhe shefit tënd.

Ti firmose 410 milionë USD konçesione:

Konçesioni i check-up – 90 milionë USD

Sterilizimi – 160 milionë USD

Dializa – 70 milion USD

Shërbimi laboratorik – 90 milion USD

Me këto lekë do kishim ngritur 10 spitale të reja, zgjidhur problemin e ilaçeve, dyfishuar pagat e mjekëve si edhe do dyfishonim edhe pensionet. Nuk i bëmë se ti i vodhe.

Me këto lekë ndoshta nuk do kishim fare nevojë të izoloheshim sepse sistemi do ishte i shëndetshëm.

Ti dhe të ngjashmit e tu që e kanë rrënuar buxhetin e shtetit, sot duhet të ishit në burg ose në shtëpi duke pritur vendimin e gjykatës.

Fakti që ky vend ende nuk ka një sistem drejtësie, nuk do të thotë që nuk ka as memorie.

Guxo ti apo shefi yt të prekni lekët e pensionistëve dhe do ju vijmë në shtëpi.

Të vetmit që duhet të paguajnë sot jeni ju, klasa politike dhe klientët tuaj.

Ju që e keni rrjepur për 30 vite këtë vend të bekuar me pasuri natyrore.

Dhe do paguani!