Një edicion përfundoi dhe tashmë një tjetër do të nisë për Kombëtaren e Shqipërisë. Muaji dhjetor do të njohë kuqezinjtë me kundërshtarët e radhës që e presin në qershorin e ardhshëm. Ditët po afrojnë, teka më datë 16 të këtij muaji në orën 18:00 do të hidhet shorti që do të përcaktojë grupet e Ligës së Kombeve.
Shqipëria ndodhet në Ligën B këtë sezon, prandaj edhe rivalët që do të ketë në fushë do të jenë të një niveli më të lartë. Kuqezinjtë ndodhen në vazon e katërt, ndërsa sipër saj do të ketë ndër të tjerë emra si Serbia, Irlanda, Rusia, Norvegjia, Ukraina apo Suedia.
Ndeshjet e grupeve për Ligën e Kombeve do të zhvillohen të gjitha në muajin qershor dhe shtator të vitit të ardhshëm. Katër përballjet e para do të zhvillohen në muajin qershor, ndërsa dy të tjerat në muajin shtator 2022. Grupet do të përmbajnë nga 4 ekipe, ndërsa fituesit e tyre sigurojnë ngjitjen për një ligë më të lartë, ndërsa vendet e fundit bien një ligë më poshtë. Ndërkohë UEFA bën me dije se ende nuk është përcaktuar se si do të sigurohen biletat nga Liga e Kombeve, për në Euro 2024. Përgjigja përfundimtare do të jepet në qershorin e vitit 2022./Halit Delibashi-Sport Ekspres/