Administratori i Flamurtarit ka deklaruar se me Vllazninë do lejojë në stadium vetëm femra dhe nxënës shkollash. “Gjithë ndeshjen me Korçën të shara me libër shtëpie. Çfarë janë këto?!”
Elton Nika
Komisioni i Disiplinës ka njoftuar për një tjetër gjobë ndaj Flamurtari, por jo vetëm kaq, pasi për sjelljen e tifozëve në ndeshjen ndaj Skënderbeut është vendosur vlonjatët të luajnë një ndeshje pa tifozë. “FC “Flamurtari”, për sjellje të gabuar të spektatorëve , në bazë të Nenit 65/1 dhe Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobe në masën 500,000 (pesëqind mijë) Lekë dhe 1(një) ndeshje pa tifozë”, shkruhet në vendimin e zbardhur të Disiplinës, por nuk përcaktohet nëse kjo do të ndodhë në ndeshjen me Lushnjen, apo pasardhësen në shtëpi me Lushnjen.
Këtë herë administratori Sinan Idrizi nuk ka kundërshtuar vendimin dhe për “Sport Ekspres” ka deklaruar: “Nuk ka në stadiumin përkatës dhe jo atë përkatës, dënimi është një ndeshje pa tifozë. Le t’i lëmë mënjanë faktet se kemi të bëjmë me një dënim me dy standarde, qëndron apo jo, por të ndalemi te vetja jonë. Çfarë armiqësie kemi me Korçën? Nuk kam ndonjë të tillë. Kemi luajtur përballë një klubi korrekt, klubi me drejtues korrekt dhe dëgjoj gjatë gjithë ndeshjes ‘do t’iu këndojmë këngën’ dhe të shara me libër shtëpie. Ç’faj na kanë tifozët e tjerë, t’i lëmë këto gjëra, nuk kam asgjë me Skënderbeun, qytetin apo këtë klub të rregullt. Federata na ka mbyllur një ndeshje stadiumin, ndeshjen tjetër që na takon të luajmë në fushën tonë, që i bie përballë Vllaznisë, do ta mbyll unë stadiumin. Do të jenë në fushë vetëm femra dhe nxënës shkollash. Mendoj se këtë herë dënimi i Federatës është i bazuar në rregullore”.
Flamurtari është gjobitur shpesh, ndërkohë që këtë herë gjoba ka qenë më e madhe se zakonisht, pesë milionë lekë. “Çdo ndeshje nga pesë milionë lekë, çfarë është kjo?! Gjithë ndeshjen me Korçën të shara me libër shtëpie dhe do t’iu këndojmë këngën. Cilën këngë do t’i këndojnë ata? Boll më, çfarë janë këto?! Duhet ta kuptojnë edhe këta tifozë që vetëm një herë gjatë ndeshjes dëgjova Flamurtari, herët e tjera të shara. Tani do veproj unë, ndeshjen tjetër që na takon ta luajmë në fushën tonë, në stadium do të jenë nxënës shkollash dhe femra”, përfundon kreu i klubit vlonjat, Sinan Idrizi.
FLOTA NË LUSHNJE
Mbështetje edhe nga tifozët në stadiumin e Lushnjes. Grupimi “Flota kuq e zi” ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe mbështetjen e skuadrës në transfertën e radhës, ndërsa nisja sipas njoftimit të tyre do të kryhet duke nisur nga ora 11:30 pranë pallatit të sportit në Vlorë. Por nuk pritet vetëm mbështetja e “Flotës kuq e zi”, pasi shumë sportdashës të tjerë do të jenë të pranishëm në Lushnje, duke udhëtuar me mjetet e tyre private, për shkak të afërsisë mes dy qyteteve.