Java që lamë pas ishte e mbarë për futbollin shqiptar. Vetëm dy skuadra janë bërë pjesë e dënimeve të Komisionit të Disiplinës Sportive. Kukësi është i vetmi ekip nga “Abissnet Superiore” që e pëson nga Disiplina, teksa është dënuar me një gjobë në vlerën 100 mijë lekë. Shkak janë bërë tifozët kuksianë, të cilët kanë shkelur rregulloren me hedhjen e sendeve në fushë.
I njëjti dënim shkon edhe për Butrintin, që po ashtu dënohet me gjobë 100 mijë lekë për sjellje të gabuar të tifozëve. Megjithatë, klubi i sarandiot do të mjaftohet me shlyrjen në masën 20% të vlerës së gjobës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Vendimet e plota të Komisionit të Disiplinës Sportive:
- FK Kukësi, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 65/1 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
- KF Butrinti, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 65/1 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 116/1/b të KDS, gjoba të aplikohet në masën 20%.
- Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të AF Elbasani, Fabjan Tartari, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.
- Rrëzimin e kërkesës së Klubit të Futbollit Delvina sh.a, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.