Reali në humnerë. Kështu e konsiderojnë mediat në Spanjë e jashtë saj disfatën e sotme të kampionëve në fuqi të Europës, të mundur 1-0 në Bernabeu nga Vijareali, që vetëm para pak ditësh shiti në Kinë lojtarin e vet më të mirë, sulmuesin Bakambu.
Një gol nga Fornals në fundin e takimit, në minutën e 86-të, fundosi Realin, që nuk pati as fatin me fatin, por as Ronaldon, gjithnjë e më shumë në hije.
Vijareali, që jo më kot e quajnë “Nëndetësja”, bëri histori, sepse për herë të parë fitoi në Bernabeu, ndërsa për madrilenët titulli është dorëzuar që tani. Nuk kishte ndodhur kurrë diçka e tillë, të paktën këto dekadat e fundit.
Tashmë Zinedin Zidan rrezikon shumë: Joakim Lëv është gati, por pas Kupës së Botës, ndaj deri në fund të sezonit Florentino Perez mund të bëjë ndonjë zgjedhje kalimtare. Fundja, është përpara Champions League dhe duhet një shkundje për të tentuar suksesin në kontinent.