Dinamo synon dy lojtarë të Bylisit, Peqini: Do pretendojmë

Dinamo vijon përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit, ku kryeqytetasit duket se janë dobësuar me largimin e Mirel Çotës, por kanë afruar disa lojtarë të rinj, mes të cilëve spikat edhe i riu Marlind Nuri nga skuadra e Tiranës, por që është edhe pjesë e skuadrës Shpresa U-21. Ditët e fundit, drejtuesit e skuadrës së Dinamos kanë kërkuar edhe dy lojtarë në formë huazimi nga Bylisi, pikërisht mbrojtësin e majtë Nertil hoxha si dhe mesfushorin me tipare sulmuese, Erald Kolgegaj.

PEQINI – Ka luajtur mjaft mirë në pjesën e parë të sezonit, por edhe në miqësoret e zhvilluara deri më tani, e sidomos në atë ndaj Kukësit, pak ditë më parë, kapiteni Roland Peqini, flet për situatën në ekip dhe afrimet. “Dinamo ka emër të madh dhe do të vazhdojë që të paraqitet denjësisht në garë. Po vijojmë përgatitjet, të cilat, për hir të së vërtetës, na kanë ecur mjaft mirë. Ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar kanë ndikuar për mirë në formën dhe mbarëvajtjen e skuadrës, ku loja ka qenë ajo që ka ardhur në rritje. Natyrisht që, ne kemi pretendimet tona, por synimi ynë më shumë sesa arritja te pesë vendet e para, është ndeshja e radhës. Do t’i marrim ndeshjet një e nga një. Sa për largime apo afrime, unë nuk dua dhe nuk më takon të flas, ato i dinë drejtuesit. Por, kam besim se skuadra me këtë kontigjent që ka është e aftë që t’i bajt ballë çdo kundërshtari në vazhdimin e garës”,-ka theksuar Peqini që është një nga mbrojtësit e krahut më të mirë në Kategorinë e Parë.

Formacioni i mundshëm: Saraçi, Peqini, M. Nuri, Doksani, Allmuça, Gjata, Elmazi, Lika, E. Muça, R. Nuri, Çema. Trajner: I. Allmuça.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *