Dinamo po kthehet me rezultatet pozitive dhe këtë herë dëshira për t’u kthyer në Superiore është më afër. Kryeqytetasit po kryesojnë në Kategorinë e Parë, atje ku kanë pësuar vetëm një gol në derbin ndaj Partizanit B, në një tjetër takim që arritën që ta fitonin. Nën drejtimin e Kamarata, premtimet e shumta në vitet e shkuara mund të përmbushen në këtë kampionat. Në një intervistë për mediat italiane, mes të tjerash Kamarata ka bërë edhe një krahasim me Italinë duke e konsideruar Dinamon si një ekip që në Serinë B mund të ishte i dobët dhe do t’i rrinte për shtat Seria C.
“Ekipi mund të aspirojë që të triumfojë, por të fitosh nuk është kurrë e lehtë. Unë kam gjetur një nivel të mirë. Fizikisht ata janë shumë të përgatitur, por në pjesën teknike dhe taktike ka shumë për të përmirësuar. Është një nivel i dobët në Serinë B ose Serinë C. Megjithatë futbolli shqiptar po rritet shumë dhe aty ka një dëshirë dhe uri të madhe. E ardhmja? Herët a vonë do të jem trajner në një ekip italian”, u shpreh Kamarata. /Sport Ekspres/