“Dinamo është më e mira e Kategorisë së Parë”! E pyesin se kë po mendon në Superiore, përgjigja epike e Asion Dajës: Tani vetëm…Burrelin

Dinamo ka arritur të marrë një rezultat pozitiv ndaj Skënderbeut në atë barazim 1-1. Me këto shifra, kryeqytetasit qëndrojnë të qetë në vendin e parë me katër pikë më shumë se korçarët. Mund të quhet një rezultat pozitiv edhe për vetë mënyrën sesi erdhi loja.

Abdul shënoi për Skënderbeu në minutën e 7. Korçarët udhëhoqën takimin në avantazhin e tyre deri në minutën e 82, teksa Babacar i ardhur nga stoli do të shënonte për Dinamon. Një barazim i shijuar si fitore dhe kjo duket qartë nga festimi i golit. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për Oversport:

Asion Daja: “Objektivi im është që ta dërgoj Dinamon në Superiore dhe të jem vetë aty. Me kë po pres që të ndeshem në Superiore? Është e largët ajo ditë, tani po mendoj Burrelin. Dëshira ime është që ta mbyll karrierën te Dinamo. Sot mendoj se Skënderbeu kishte edhe pak fat. Nuk duhet harruar që shumë lojtarë që ne kemi në formacionin e parë nuk i kanë mbushur ende 20-vjeç. Por jam i bindur se Dinamo është ekipi më i mirë në Kategorinë e Parë. Këta lojtarë të rinj që ne kemi do të shihen edhe në Superiore për potencialin e tyre se unë i shoh çdo ditë në stërvitje”.

Ivan Gvozdenovic: “Nuk jam i kënaqur me rezultatin, por jam i kënaqur për lojën. E dinim se do të ishte ndeshje e vështirë. Shënuam në minutën e 7 dhe në të 15 u dëmtua mesfushori Moraes. Për ktë arsye duhej të tërhiqeshim dhe të mos tentonim për golin e dytë. Mund ta kishim mbyllur ndeshjen me rastin e Abdul. Ne kemi kualitetet dhe potencialin për t’u kthyer në Superiore. Gjithçka është e hapur, ne jemi në vendin e 2 dhe ka ende 12 ndeshje”.

Nevil Dede: “Duhej të merrnim më shumë se barazimi. Pësuam një gol naiv dhe kjo na vendosi në tension. Edhe terreni nuk na lejoi të shpreheshim siç duhej. Kemi shpërdoruar shumë dhe përballë kishim Skënderbeun. Me llogjikën sesi shkoi loja, mendoj se duhej të merrnim më shumë se barazimi dhe pse mund të humbnim. Themeli është fakti se ne kemi shumë lojtarë të rinj dhe kjo na bën optimist”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *