Ernest Muçi ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave këtë sezon dhe sirenat e largimit për të kanë nisur të bien prej muajsh. Talenti 19-vjeçar ka treguar cilësi të mira në fushë, ku ka arritur të shënojë 8 gola këtë sezon, ndërsa kontrata me bardheblutë i mbaron verën e ardhshme. Dinamo e Zagrebit është mësuar se ka kërkuar shërbimet e Muçit, ndërsa edhe Menemespori e ka pasur në listën e tij.
Megjithatë këto nuk janë të vetmet ekipe që e duan sulmuesin e Tiranës në organikën e tyre. Në kroaci mediat raportojnë se Dinamo e Zagrebit do të ketë konkurencë këtë verë, pasi pas talentit të Kombëtares shqiptare U-19 janë vënë edhe 3 emra të mëdhenj të futbollit grek. Sipas “24sata.hr“ dhe “tportal.hr“ Olimpiakos, AEK-u i Athinës dhe Panathinajkos janë të interesuara për Ernest Muçin.
Kështu e ardhmja e sulmuesit bardheblu pritet të jetë jashtë Shqipërisë dhe ofertat në drejtim të tij nuk mungojnë. Prandaj Tirana mund të buzëqeshë, pasi në fund të kësaj vere mund të mbushë arkat e klubit me një shumë të konsiderueshme nga prodhimi i Akademisë së saj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/