Dibala dhe Strakosha, një fat i kryqëzuar në… Itali!

Ishte vera e vitit 2012 kur argjentinasi mori avionin nga Buenos Airesi për në Siçili (Palermo), ndërsa shqiptari nisi të sistemonte rrobat e tij në konviktin e Formelos. Një tangjent edhe në Serinë B

Anton Cicani

Nga Salerno te debutimi vitin e shkuar ndaj Milanit, deri te pritjet deçizive ndaj Juventusit, në “Allianz Stadium”: ka bërë goxha rrugë Thomas Strakosha. Portieri i ri shqiptar është bërë në xhiron e pak kohëve numri “1” i Lacios duke i marrë vendin Federiko Marketit. Pardje, priti penalltinë e parë në karrierën e tij mes profesionistëve, duke hipnotizuar Paulo Dibala, një ndër golashënuesit e Serisë A dhe sidomos një ndër më premtuesit në panoramën ndërkombëtare. Ishte viti 2012 kur ai mbërriti te Lacio, në Romë, mes frikës se do të gjente një botë ndryshe nga ajo në Greqi, por me besimin se një ditë do të luante në Serinë A. Por, ndoshta historia ka dashur që të kryqëzohet dhe, fakti që penalltia e tij e parë e pritur ka ardhur ndaj argjentinasit të Juventusit, do të thotë shumë. Rastësi, por edhe shenjë…

Sepse, Paulo Dibala, pikërisht në verën e vitit 2012, kur Strakosha po vendoste rrobat e tij në konviktin e Formelos (gati për aventurën me të rinjtë), do të merrte avionin nga Buenos Airesi për në Itali, me destinacion ishullin e Siçilisë, Palermon. Një fat i përbashkët, paralel ndoshta, që sillte portierin shqiptar dhe sulmuesin argjentinas me ëndrrën që një ditë do të luanin në Serinë A italiane. Dhe, Maurcio Zamparini, ndryshe nga Lotito, që u desh të paguante sa një shtëpi në periferi të Tiranës për të siguruar Thomas Strakoshën, pagoi plot 13 milionë euro, duke bërë investimin më të rëndësishëm në historinë e klubit (Dibala mbërriti nga skuadra e Instituto de Kordoba, ku aktivizohej në kategorinë e dytë). Në Serinë B, me siçilianët, Dibala nisi të tregonte menjëherë vlerat e tij, teksa rritej me qetësi. Shumë kilometra larg ishullit, në Romë, Strakosha po niste të përgatitej për të qenë pjesë e ekipit të parë një ditë dhe pikërisht transferimi i Karrizos te Interi i hapi vendin për të qenë i tretë. Edhe pse, në fillim provoi Serinë B italiane, ashut sikurse edhe numri “10” i Juventusit. Një vit te Salernitana për Thomasin, që nuk është se luajti me vazhdimësi. Nga Serie B në trampolinën e Serisë A.

Njëri në Torino, tjetri rikthim në Romë. Dy qytete të mëdha, dy “piaca” të mëdha, por sigurisht me dy role të ndryshme. Dhe, nëse sfidën e përpara disa muajsh e fitoi Dibala, por trofeun Thomasi (Superkupa), pardje, gardiani shqiptar u hakmorr në mënyrën më të mirë, duke i shkaktuar humbjen e parë Juventusit pas 2 vjetësh në Torino (në kampionat). E ndërsa Berisha e trullosi, Strakosha i dha goditjen që e ka çuar në një kënd Dibalanë, në pritje që të ringrihet. Po, për momentin ka fituar ai, djaloshi që iu desh të udhëtonte nga Greqia në Itali dhe jo të kalonte Oqeanin, edhe pse sezoni sapo ka nisur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *