Dhurata e parë për Ze Marian, Halili i sjell sulmuesin

Tirana bën afrimin e parë në ekip. Dejan Blazhevksi ka nënshkruar kontratën që e lidh me bardheblutë dhe tanimë së bashku me Ngo, Sentamu e Grecën do të plotësojnë repartin e sulmit, së bashku me të rinjtë Vrapi, Muçi e Halili. Futbollisti 32-vjeçar prej tre sezonesh aktivizohej te Vardari, skuadër me të cilën ka fituar edhe titullin kampion. Tanimë ai nis një aventurë të re në kategorinë Superiore. 

E SHKUARA E BLAZHEVSKIT – Udhëtimin e tij si futbollist profesionist e ka nisur nga Pelisteri në vitin 2006 dhe dy sezonet e mira aty i dhanë mundësinë të transferohej në Greqi, në ligën e dytë, jo në elitë. Nuk shënoi shumë, por ka luajtur rregullisht. Veria dhe Pierikos Katerini kanë qenë ekipet e tjera të tij ne vendin e helenëve dhe më pas u kthye sërish në Maqedoni, këtë herë te Turnovo. Aty zhvilloi dy sezone të mira, duke realizuar në kampionat plot 37 gola. Më pas provoi një eksperiencë në Azerbajxhan me Khazar Lankaran.

Në janar të vitit 2015 u rikthye në Maqedoni, ku veshi fanellën e Vardarit, skuadër me të cilën ka fituar tre herë titullin kampion. Fillimi ishte i mirë, teksa shënoi 8 gola në gjysmë sezoni, ndërkohë që e ruajti këtë trend, duke realizuar 9, 11 dhe 8 gola në sezonin e fundit. Sulmuesi ka qenë edhe pjesë e Maqedonisë, duke luajtur kryesisht në miqësore.

Me fanellën e Vardarit, nëntorin e shkuar arriti t’i shënojë gol Zenitit në humbjen 2-1 të pësuar në Rusi. Me Turnovon më parë ka shënuar tre herë në kualifikuese e Ligës së Europës. Njërin prej golave ia ka realizuar kroatëve të Hajduk Split. Sikurse edhe shihet, Blazhevski ka eksperiencën e duhur për t’i dhënë Tiranës atë çka do në repartin ofensiv.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *