Dhe pastaj Xhelal Mziu ankohet pse nuk i shkon njeri në stadium!

Nëse shkon në ndonjë pikë lotoje, sapo humbet një ekip favorit, dëgjon rëndom batuta “E shitën edhe këta”. Nuk dëgjon ndokënd që të kapë skedinë e të thotë: “Bravo, e blenë këta e më nderuan edhe mua”.

Njësoj edhe Xhelal Mziu, dje kur mori vesh që Vllaznia po fitonte 1-0 ndaj Laçit me 10 lojtarë, bëri parashikuesin e motit: “Vllaznia do fitojë 1-0”. Nuk është hera e parë që Mziu e ka me Laçin, duket qartë që ka inate mes drejtuesve, por Mziu nuk e kupton që nëse futbolli shqiptar është i helmuar, e ka fajin ai dhe kolegët e tij që çdo javë akuzojnë njëri-tjetrin.

Janë 10 presidentë klubesh në Superiore, të gjithë akuzojnë se u shit dhe u ble një ndeshje, por nuk e thonë kush e bleu e kush e shiti, ndërsa ulen edhe hanë e pinë me njëri-tjetrin pa pikë turpi, duke bërë batuta.

Mziu ankohet se nuk i shkon njeri në Kamzë për ndeshjet e ekipit të tij, por nëse fillon e bën ekspertin e basteve dhe u thua njerëzve që ndeshjet e Superiores janë të trukuara, mos prit asnjeri në stadium.

Edhe Pashk Laska është revoltuar pas ndeshjes, sepse tërbimi për humbjen në Shkodër iu shtua kur mori vesh gallatën e Mziut: “Nuk është normale kjo që ndodh, që pas një ndeshje të luftuar të ekipit tonë, të pyetet në lidhje me tolerime të mundshme, apo gjëra të tilla. Ndihemi të ofenduar dhe nga ky moment kemi marrë vendimin, që në emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, asnjë drejtues, pjesëtar i stafit apo lojtar nuk do të flasë më”.

Kush e ka parë Vllaznia-Laçi dje, me siguri i jep të drejtë Laskës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *