Dha dorëheqjen nga gjendja ekonomike, TKZ i nismë të veçantë për Zendelin: Bëhemi bashkë sot, për të mbështetur një kampion shqiptar nesër

Lirim Zendeli njoftoi pak javë më parë se do të hiqte dorë nga pasioni i tij më shpejtësinë dhe kjo vetëm për shkak të vështirësive ekonomike. Piloti shqiptar nuk kishte më mundësinë financiare për të vazhduar garat në pistë. Zendeli është vetëm 22-vjeç dhe garonte në Formula 2, me dëshirën që më pas të katapultohej në majën e garave me makina, Formula 1.

Nisur nga ky vendim i vështirë i djaloshit të lindur në Gjermani, grupimi besnik i Kombëtares, TKZ, janë bërë bashkë për të mos e lënë përgjysmë ëndrrën e Zendelit. Me anë të një postimi në faqen zytare në “Facebook”, Tifozët Kuq e Zi kanë ftuar çdo sportist, artist, biznes apo individ shqiptar që të investojnë sado pak për të rikthyer pilotin shqiptar brenda makinës njëvendëshe. Një nismë mjaft e veçantë dhe për tu duartrokitur kjo nga TKZ, që kapërcejnë përtej futbollit dhe i dalin krahë çdo shqiptari që është nisur në rrugën e suksesit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Postimi i plotë e Tifozët Kuq e Zi:

Të dashur sportdashës dhe bashkatdhetarë!

Të dashur sportistë, artistë dhe biznesmenë shqiptarë kudo ku ndodheni dhe veproni!

Kërkojmë bashkëpunimin tuaj për të bërë një ëndërr realitet!

Para disa javësh, përmes rrjeteve sociale ndeshëm në statusin e Lirim Zendelit, të riut shqiptar nga Shkupi i Iliridës i cili deklaronte se ishte i detyruar të tërhiqet nga garimi në “FIA Formula 2”, për shkak të mungesës së mbështetjes së nevojshme financiare. Për shumë arsye kjo deklaratë e Lirimit na preku dhe nxiti këtë reagim tonin sot.

Por fillimisht, kush është Lirim Zendeli?

Lirimi 22 vjecar, lindur dhe rritur në Gjermani nga një familje shqiptare e cila për shkak të situatës politike dhe kushteve të rënda ekonomike u detyrua të emigrojë, është shqiptari i parë deri më sot që ka arritur majat në fushën e garave me makina.

Karriera e tij nis fillimisht si një “hobby” që në moshën 11 vjecare. Por shumë shpejt vihen re aftësitë e Lirimit dhe duke parë që potenciali e tij ishte gjithnjë e në rritje, sponsorë dhe profesionistë të fushës fillojnë të interesohen dhe ta mbështesin atë.

Janë të shumta kampionatet në Gjermani dhe ato internacionale të fituara nga Lirimi edhe pse, jo me kushte të barabarta me kundërshtarët e tij.

Që nga viti 2010 e deri para pak ditësh ka garuar në motorsport.

Ka qënë pjesmarrës në Kampionatin 2021 të “FIA Formula 2”, fitues i disa cmimeve dhe vazhdimisht në krye të pozicionimit gjatë sezonit 2019-2020 në “FIA Formula 3”, fitues i “ADAC Formula 4” në 2018 dhe shumë e shumë cmimeve të tjera përgjatë 11 viteve të ushtrimit të këtij sporti.

Pra për Lirimin tashmë duhet të ekzistojë vetëm një alternative:

Rikthimi në kampionatet e FIA Formula 2 / DTM me objektiv afatgjatë FIA Formula 1.

Por për ata që nuk e njohin mirë këtë sport, të jesh shofer profesionist i garave me makina apo të synosh të bëhesh kampion bote në këtë fushë, përvec talentit, pasionit dhe stërvitjes së vazhdueshme, kërkohet edhe një buxhet shumë i lartë.

Të kthehemi te kërkesa jonë.

Misioni primar i Tifozave Kuq e Zi është mbështetja e sportit dhe sportistëve shqiptarë kudo ku ata veprojnë, përmes rritjes së imazhit të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare, forcimit të ndjenjave të atdhedashurisë tek brezat e rinj e sidomos përmes promovimit të kulturës dhe traditave tona.

Në 18 vite aksion vullnetar kemi qënë vazhdimisht mbështetje të sportistëve nga pothuajse të gjitha fushat, kemi bashkëndarë suksese e sfida të shumta me ta, por edhe jemi përfshirë e kemi reaguar përmes aksioneve të ndryshme humanitare e sociale.

Edhe përballë realitetit të Lirimit, ne nuk mund të rrimë duarkryq! Nuk mund ta pranojmë kurrsesi që edhe ato pak talente që i kemi të shpërndarë nëpër botë, ta ndalin rrugëtimin drejt suksesit për shkak të mungesës së mbështetjes financiare.

PRANDAJ, I BËJMË THIRRJE:

Çdo sportisti shqiptar që e di se sa mund e djersë duhet derdhur për të pasur qoftë edhe vetëm 1 mundësi!

Çdo artisti shqiptar që është i vetëdijshëm që shpeshherë vetëm talenti nuk mjafton!

Çdo bashkëatdhetari që ka sakrifikuar gjithcka dhe e ka provuar ndjenjën e të luftuarit dyfish për të arritur suksesin në vend të huaj!

Çdo biznesi shqiptar që dëshiron të kontribuojë në përkrahjen e talenteve shqiptarë!

Çdo institucioni shqiptar që krenohet me arritjet e të rinjve shqiptarë kudo në botë!

Të bëhemi bashkë SOT, për të mbështetur një KAMPION shqiptar nesër!

Le ta ndihmojmë Lirimin që të kthehet në shembull për ata qindra e mijëra vajza e djem që punojnë me pasion e përkushtim për ti bërë ëndrrat e tyre realitet!

Le ta kthejmë Lirimin në pistën e garave! Eshtë i vetmi vend që ai meriton!

Sëbashku më të fortë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *